Tare dhe Lotitto kanë këtë mision për yjet e Lazios

Pas tre javësh, kampionati italian është ndërprerë për t’u lënë vendin ndeshjeve të skuadrave përfaqësuese, ndërsa drejtuesit e Lazios janë me agjendë të tejmbushur gjatë kësaj periudhe.

Kjo pasi Claudio Lotitto ka vendosur të rinovojë kontratat me disa nga yjet e skuadrës së tij, për të cilët refuzoi oferta të shumta këtë verë dhe i mbajti akoma veshur me fanellën bardhekaltër.

Kështu i pari është Ciro Immobile, të cilit i është ofruar një kontratë deri në verën e vitit 2023 dhe një pagesë prej 3 milionë eurosh në sezon, paga më e lartë që Lazio ka paguar ndonjëherë, në epokën Lotitto.

I njëjti diskutim vlen edhe për mesfushorin serb Milinkoviç-Saviç, të cilin Lotitto vendosi ta mbajë në skuadër për një tjetër edicion, në pritje të një oferte të parezistueshme.

Mesfushori mund të përfundojë në Angli, te Manchester United, nëse Paul Pogba vendos të largohet nga “Old Trafford” për t’iu bashkuar Barcelonës.

Pikërisht për këtë arsye, dyshja Lotitto-Tare po nxitojnë të rinovojnë kontratën me mesfushorin serb, për të përfshirë në marrëveshjen e re edhe një klauzolë prishjeje prej 150 milionë eurosh.

Pikërisht klauzola ka vënë në dyshim rinovimin me mesfushorin serb, pasi menaxherët e tij janë kundër kësaj shifre, që shumë pak skuadra janë të gatshme ta paguajnë në ditët e sotme.

Në listën e rinovimeve ka përfunduar edhe fantazisti spanjoll Luis Alberto, i cili pas një sezoni si protagonist vitin e kaluar, shënoi golin e fitores së parë të bardhekaltërve në Serinë A, në fitoren minimale 1-0 ndaj Frosinones.

Edhe spanjolli bën pjesë në lojtarët që kanë shumë merkato nëpër Europë, ndaj Lotitto dëshiron t’i bllokojë me çdo kusht këta tre lojtarë, ndonëse e ka të qartë se shpenzimet e pagave me shumë gjasa do të kalojnë shifrën e 70 milionë eurove në sezon.