Dita e Shën Terezës, Berisha: Nëse Enver Hoxha e ndaloi të vinte në atdhe, neobllokmeni Rama i hoqi edhe shtatoren!

Ish-Kryeministri Sali Berisha i ka kushtuar sot disa radhë me adhurim dhe nderim, humanistes shqiptare Nënë Tereza në ditën e saj të shenjtërimit dhe nga ana tjetër, edhe me indinjatë ndaj një akti të qeverisë Rama në pushtet, që siç cilëson, “ka fyer gjithë kombin shqiptar”.  

"Të dashur miq, - shkruan Berisha, - sot katolikët në Shqipëri dhe në botë dhe mbarë kombi shqiptar, nderojnë me adhurim Shën Terezën, shejtoren shqiptare.

Nderojnë shenjtoren, që për së gjalli, me virtytet e rralla të shpirtit të saj, dashurinë, dhimbshurinë, përkushtimin dhe besimin e pakufishëm te Krishti Mbret, pushtoi zemrat e mbarë njerëzimit, fitoi çmimin Nobel dhe u bë gruaja më e famshme e shekullit të saj.

Regjimi barbar i Enver Hoxhës i ndaloi Nënë Terezës për dekada, ardhjen në Shqipëri, kurse neobllokmeni Edvin Kristaq Rama, për të shprehur urrejtjen atërore ndaj shqiptares më të madhe të kohërave, në një vendim antikombëtar, i hoqi shtatoren e tij nga kryeqyteti i vendit duke fyer kështu mbarë kombin shqiptar.

Unë ju ftoj ju, të dashur miq, të shprehim një mirënjohje të thellë Nënë Terezës, që lartësoi sa askush tjetër emrin e shqiptarit dhe Selisë së Shenjtë për vendimin e saj hyjnor, shejtërimin e Saj."

Bashkë me shënimin e tij, Berisha ka publikuar një foto nga takimi i jashtëzakonshëm që ka pasur me Nënë Terezën!