Si mund të kthehet opozita në alternativë fituese

Shqipëria po kriminalizohet në mënyrë kapilare. Lidhja e shtetit me krimin është bërë aq e fuqishme sa është të vështirë të dallosh nëse krimi drejton politikën apo shtetin drejton krimin.

Veprimi i individëve me rekorde kriminale nis prej disa vitesh me pjesëmarrjen e tyre aktive në zgjedhje, me kërcënimin e votuesve dhe blerjen e votave.

Më tej me marrjen e pushtetit:

i) një pjesë e tyre janë futur në kuvend dhe kanë zënë poste kyçe në administratën publike;

ii) një pjesë e tyre kanë formuar kompani biznesi dhe sigurojnë në mënyrë preferenciale tenderat, koncensionit, lejet e ndërtimit, prona e toka, e tjerë nga lidhjet e fuqishme me qeverinë;

iii) një pjesë tjetër operon si gobëvënëse e bizneseve pa pasur asnjë shqetësim se mbrohen nga shteti.

Kjo është arsyeja që qeverisja e sotme është edhe e korruptuar, edhe kriminale, edhe ologarkike edhe e lidhur me trafikantët e drogës, të armëve dhe qenieve njerëzore. Një qeverisje që i) ka rrënuar ekonominë, ii) ka varfëruar dhe nënshtruar qytetarin, iii) dhunon dhe tenton të rrudhë e komprometojë opozitën, iv) komprometon zyrtarët e huaj që merren me zhvillimet në Shqipëri.

Kjo e ka shndërruar Shqipërinë në një regjim autoritar ku një person i vetëm kontroll të gjithë institucionet. Ku krimi në mënyrë kapilare kontrollon gjithçka, Ku qytetarët janë të pashpresë dhe të vetmen zgjidhje kanë emigrimin, të cilin e nxit edhe qeveria. Ku opozitës Rama i ka lënë vetëm një rrugëdalje: të udhëheqë revoltën qytetare.

Pyetja që shtrohet me të drejtë në këtë rast është: Çfarë duhet të bëjë opozita që të kthehet në drejtuese të revoltës qytetare? Që t’ju kthejë shpresën qytetarëve? Që ti jepet përgjigje pyetjes që shtrojnë të gjithë qytetarët e ndershëm: Çfarë duhet bërë që individët e shumtë të acaruar, të bashkohen masivisht në një revoltë kolektive dhe opozita të kthehet në alternativë fituese, shprese dhe besimi për qytetarët?

***

Opozita po ka bërë shumë mirë denoncimin e situatës të krijuar nga Qeverisja Rama. Në parlament. Në konferenca shtypi. Në programet e ndryshme televizive. Dhe në takimet me qytetarët. Përfshi edhe protestat. Këto të gjitha mesa duket janë ende të pamjaftueshme për të zgjidhur këtë shqetësim qytetar.

Mesa duket, vetëm denoncimi i gjendjes nuk ka qenë i mjaftueshëm për kthimin e besimit të qytetarëve për ta mbështetur opozitën të kthehet në forcë alternative të kësaj qeverisjeje. Disa nga veprimet, pa përjashtuar asnjë nga propozimet e deritanishme, të bëra publike apo që janë në diskutim brenda forumeve partiake të partive opozitare, që do të mund të ndërmerrnin PD dhe partitë e tjera opozitare, do të ishin:

PRIORITETI I PRIORITETEVE:

Përmirësimi dhe forcimi i organizimit partiak e elektoral

Opozita në përgjithësi dhe PD në veçanti duhen urgjentisht e me prioritet të merren seriozisht me ngritjen, plotësimin, forcimin, dhe vënien në lëvizje të strukturave organizative të partisë dhe kthimin e aktivizimin e tyre ne formatin elektoral adekuat, bazuar në ndarjen gjeografike sipas bashkive apo qarqeve zgjedhore, madhësisë së tyre.

Ky organizim duhet të ketë për qëllim final vendosjen e kontakteve të çdo individi, anëtar të kësaj skeme organizative, me të gjithë votuesit përmes një sistemi të qartë dhe të auditueshëm të ‘patronazhit’. Ku organizim kapilar duhet të realizohet deri në nivelin e qendrës së votimit që duhet të mbulohet nga njësitë partiake të përforcuara me komponente të tjera dhe të mirëorganzuara. Ky sistem patronazhi me të gjithë individët me eksperiencë dhe të rinjtë do të mundësonte kontakte kapilare të përditshme me votuesit për një komunikim njerëzor me ta dhe për të përçuar të gjithë zgjidhjet apo grumbulluar prej tyre të gjithë propozimet apo komentet për zgjidhjen e halleve e shqetësime të tyre.

Pa këtë organizim kapilar dhe komunikim intensiv do të jetë shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur që opozita të kthehet në drejtuese të revoltës së qytetarëve. Ky organizim elektoral duhet të ketë objektiva shumë të qartë elektoralë dhe duhet të auditohet në permanencë. Ai duhet të jetë gjithëpërfshirës.

DETYRË EMERGJENTE:

Bashkimi i të gjithë kontributorëve në një ekip gjithëpërfshirës të qeverisjes së ardhshme

Qytetarët do të krijonin besimin nëse do të kishin mundësi të shikonin të gjithë ata që ka kontribuar në PD dhe forcat opozitare gjatë 27 vjetëve duke u takuar dhe biseduar me qytetarët e dëshpëruar me një synim të vetëm, t’ju ngjallnin shpresën e humbur. I gjithë ky grupim duhet të shndërrohet në një ekip të besueshëm që do të zgjidhin realisht hallet e tyre. Prandaj është detyrë emergjente që opozita të ngrejë ‘ekipin e qeverisjes’.

Bazuar në parimin e meritës, ku do të duhen të përfshihen individë me të aftë e me eksperiencë, me vlera e kontribute në vite dhe të motivuar e të sakrificës për të zgjidhur hallet e shqetësimet e qytetarëve. Individë me integritet që ngjallin përshtypjen pozitive dhe shpresë te qytetarët. Ky proces duhet te jetë antisektarë, gjithëpërfshirës e përbashkues, duke përfshirë të gjithë ata që kanë kontribuar gjatë tranzicionit por edhe të rinj energjikë, të shkolluar brënda e jashtë vendit.

Nga të gjithë forcat politike opozitare që do të pranonin të bashkëpunonin. Shumica e individëve, anëtarë të ekipeve të qeverisjes së nesërme mund të propozohen apo miratohen, përmes mekanizmash transparentë kryesisht nga qytetarët dhe jo të imponohen nga partitë apo të parashutohen prej tyre.

OJEKTIV PARËSOR ELEKTORAL:

Ndërtimi i një aleance të madhe të opozitës së bashkuar, fituese dhe efikase

Krahas ngritjes së mekanizmave për afrimin e të gjithë kontributeve brenda çdo formacioni politik duhet të nisë një diskutim brenda çdo partie që gjendet me opozitë me qeverisjen aktuale për formimin dhe ngritjen ‘aleancës’ së ardhshme zgjedhore dhe/ose eventualisht qeverisëse bazuar në parimet e kosto-përfitimit, natyrisht duke i dhënë me prioritet rëndësi integritetit të aleancës, respektimit të dallimeve ideore e programore dhe tentuar bashkërendimin e tyre, cilësisë dhe imazhit të ekipeve të çdo formacioni, e tjerë, e tjerë.

Ky bashkim duhet të ketë për synim kryesor maksimalizimin e suksesit elektoral. Krahas diskutimeve brenda çdo formacioni politik, dhe pasi të jenë marrë vendimmarrjet përkatëse fleksibël nga forumet e çdo partie opozitare, duhet të nis urgjentisht procesi i konsultimeve dhe negocimeve mes formacioneve politike për të mundësuar ngritjen e një aleance fituese të zgjedhjeve dhe efikase në të gjithë aspektet e solide e të qëndrueshme në një periudhë afatgjatë.

DETYRË SHUMË E RËNDËSISHME:

Hartimi i një platforme alternative të qeverisjes të ardhshme

Aleanca opozitare nuk duhet të jetë vetëm reaktive dhe denoncuese por ajo duhet të kthehet në një alternativë besimi e shprese. Shumë qytetarë të dëshpëruar dhe të pashpresë, nuk presin të zëvendësojnë Rilindjen e dështuar me një kopje të saj, qoftë edhe të re.

Atyre mund t’ju ngjallet shpresa vetëm nëse një ekip i besueshëm qeverisës, ku janë të gjithë të përfshirë brenda çdo parti dhe në një aleancë fituese dhe efikase, ju paraqet një platformë të thjeshtë dhe konkrete ku secili prej tyre gjen zgjidhjen e problemit apo hallit të tij personal apo familjar. Prandaj, opozita e bashkuar, përmes një bashkëbisedimi apo dialogu me qytetarët apo grupe të vogla interesi duhet të përgatisë mini-platforma konkrete për zgjidhjen e të gjithë halleve dhe shqetësimeve kryesore e konkrete që kanë qytetarët.

Këto mini-platforma duhet të jenë konkrete e të thjeshta si dhe të realizueshme lehtësisht; prandaj duhet të jenë propozime të vetë qytetarëve apo të pranuara e plotësuara prej tyre. Bashkëbiseduesit opozitarë duhet më shumë të dëgjojnë me durim e vëmendje komentet dhe propozimet e qytetarëve sesa të bëjnë deklarata, apo përmes monologëve tju deklamojnë zgjidhje të parafabrikuara që nuk i beson më askush.

Duhet hequr dorë nga premtimet e përgjithshme dhe mediatike sepse ato jo vetëm nuk krijojnë besim por në të kundërtën krijojnë perceptimin se edhe opozita sillet njësoj siç u soll maxhoranca kur kërkonte votën. Materiali duhet të jetë i shkurtër dhe i kuptueshëm, por mbi të gjitha zgjedhjet e propozuara duhet të jenë të realizueshme.

DETYRË E PANEGLIZHUESHME:

Ngritja e ekipit të bashkëveprimit me partnerët ndërkombëtarë

Ndonëse i gjithë suksesi i ardhshëm i aleancës opozitare do të varej kryesisht e mbi të gjitha nga veprimet e saj brenda vendit dhe aktivitetet e saj me qytetarët shqiptarë, nuk duhet neglizhuar roli dhe ndikimi i faktorit ndërkombëtar, veçanërisht i partnerëve ndërkombëtarë, aq më shumë që Shqipëria është vendi anëtar i NATO dhe mendohet të hapë së shpejti negociatat me BE, dhe në partneritet me SHBA e BE.

Kjo detyrë merr një rëndësi të madhe në kushtet kur qeverisja e Ramës përmes lidhje me korrupsionin, krimin dhe trafiqet e ka bërë pothuajse të pamundur alternimin demokratik të pushtetit. Për të realizuar me sukses këtë objektiv, duhet të ngrihet një ekip i përbërë nga ekspertë me individë me eksperiencë dhe të rinj të talentuar të shkolluar brenda e jashtë vendit, që do të përpunonte/hartonte një platformë të informimit e komunikimi për gjithçka ka ndodhur dhe ndodh në vend me partnerët ndërkombëtarë e përfaqësuesit e tyre në Tiranë duke mbajtur kontakte të shumëllojshme për të paraqitur në mënyrë realiste e me fakte e prova situatën në të cilën ndodhet vendi dhe masat që po merr opozita si një alternativë e besueshme që do ti kthejë qytetarëve shpresën.