‘Reporterët pa Kufij’ reagojnë për sulmet ndaj gazetarëve në Shqipëri: Të tronditur…

Organizata ndërkombëtare që monitoron liritë dhe të drejtat e gazetarëve në të gjithë botën, ‘Reporterët pa Kufij’ , ka dënuar sulmin me armë ndaj dy gazetarëve shqiptarë, Julian Shota dhe Klodiana Lala.

‘U tronditëm kur mësuam se një gazetar u kërcënua me armë në një qytet në veri të Shqipërisë, katër ditë pas sulmit me armë kallashnikov në drejtim të shtëpisë së gazetares Klodiana Lala’, thuhet në një deklaratë për shtyp të kësaj organizate.

Gjithashtu Pauline Ades Mevel, drejtuesja e Reporterëve pa Kufij për Ballkanin tha, se: ‘Të qëllosh në shtëpinë e një gazetari me kallashnikov dhe të kërcënosh me armë një tjetër është praktik e papranueshme që përdoret për të frikësuar dhe për t’i mbyllur gojën gazetarëve të cilët guxojë të hetojnë ngjarje të dyshimta dhe krimin e organizuar, i cili mbizotëron në Shqipëri. Ne i bëjmë thirrje autoriteteve të dënojnë çdo sulm dhe të mbrojnë gazetarët në mënyrë që ato të mund të kryejnë detyrën e tyre për raportimin e lajmit’.

Më 3 shtator, Julian Shota, korrespondenti i Report TV u kërcënua me armë në kokë dhe nuk u lejua të raportonte mbi shpërthimin e ndodhur në një bar-kafe në Laç, nga vetë pronari i lokalit. Policia ka shoqëruar në komisariat pronarin e lokalit por e ka lënë të lirë ditën e sotme. Sipas deklaratës së një gazetari për Reporterët pa Kufij, ‘Laçi është një qytet i rrezikshëm me banda të fuqishme kriminale të cilat nuk janë në shënjestrën e policisë vendore.’

Më herët në datën 30 gusht, u qëllua me armë kallashnikov në drejtim të shtëpisë së prindërve të gazetares investigative Klodiana Lala. Deri më tani nuk dihen se kush janë autorët e ngjarjes. Por në një postim në Facebook, gazetarja Lala u shpreh se sulmi është i lidhur me punën e saj si gazetare.

E njëjta organizatë (RSF), në raportin e saj të fundit për media e cilësoi Shqipërinë si një vend që  nuk përmbush standardet europiane të lirisë së shtypit. Ky është përfundimi i arritur nga Indeksit Botëror i Lirisë së Shtypit i hartuar nga Reporter pa Kufi për vitin 2017.

Shqipëria renditet në vend të 76-të nga 108 vende të analizuara për lirinë e shtypit. Gazetarët në Shqipëri deklarojnë se kanë problem në aksesimin e dokumenteve publik të qeverisë, pavarësisht se ligji për të drejtën e informimit të publikut ekziston.