Presidenti i Brazilit kërkon fonde për rindërtimin e muzeut

Presidenti i Brazilit, Michel Temer, ka thënë se qeveria e tij kërkon fonde nga kompanitë dhe bankat për të ndihmuar në rindërtimin e Muzeut Kombëtar në Rio de Zhaneiro, i cili është shkatërruar nga flakët.

Ministri i Arsimit i Brazilit, Rossieli Soares, ka thënë se po kërkohet edhe ndihmë ndërkombëtare dhe se bisedimet me agjencinë për kulturë të Kombeve të Bashkuara, UNESCO, kanë nisur.

Zyrtarët e muzeut kanë thënë se pothuajse 90 për qind e koleksionit është shkatërruar. Për zjarrin, stafi ka fajësuar shkurtimin e fondeve.

Zjarri ka filluar të dielën mbrëma, pasi ndërtesa, një pallat mbretëror i shekullit të 19-të është mbyllur.

Nuk është ende e qartë nëse muzeu ishte i siguruar. Muzeu ka pasur një nga koleksionet më të mëdha të antropologjisë dhe historisë natyrore në Amerikë. Ai përfshinte mbetjet 12 000-vjeçare të një gruaje të njohur si “Luzia”.