Memec për një ditë

Mjaftoi një akt i thjeshtë politik, ndryshe nga skenari i njohur i vjershërimeve bajate në seancë plenare, që opozita të shkundë nga vendi Edi Ramën dhe t’ia mbyllë gojën për një ditë, qoftë edhe për njëherë të vetme, qoftë edhe për një seancë.

Sot Edi Rama me shumë gjasë kishte bërë gati fjalërimin e tij të zakonshëm të mbushur ku me batutat, ku me provokime, ku me ftesa e ku me kunja për opozitën, por skenari dështoi.

Opozita e bashkuar për një herë të vetme pas 5 vitesh tregoi se është më e zgjuar se Edi Rama dhe propaganda e tij, dhe për këtë u nevojit veç pak ndërgjegje. Ajo ndërgjegje-qasje që i ka munguar opozitës këtu e 5 vjet, ndërsa është munduar të ndjekë më bukë në torbë kryeministrin në çarter.

Sot duket se opozita e kuptoi atë që duhet të kishte bërë këtu e 5 vite me rradhë. Opozita nuk vrapoi të bëhej perdeja e skenës së Edi Ramës në Parlament, por zgjodhi të shkojë të qajë hallin me qytetarët e vet. Sot e gjithë ditën shkodranët, janë n’zor t’madh.

Qyteti i tyre nuk është më kryeqendra e artit dhe e kulturës, nuk është ma djepi i humorit e as i sportit. Sot falë ‘reformave’ të Rilindjes dhe raportit të saj me krimin, në Shkodër kultura e vetme është ajo që mbjellin me dhunën e tyre bandat dhe kriminelët në mes të ditës e në mes të natës.

Arti më i sofistikuar është ai vrasjes me snajper e me kallash. Sporti i vetëm është ai zhdukjes së personave dhe vendosjes së gjobave, e në gjithë këtë panoramë të zezë nuk ka vend më as për humor shkodran. Pikërisht në ditën e vet më të zezë, atëherë kur shkodranët e kishin humbur shpresë e ishin kyçë në hallin e vet duke përgju mbas penxheres, diçka ndodhi.

Opozita, ajo që duhet me mbjell shpresën në një vend të gremisur në honet e errësirës që buron prej mjerimit Migjenian (në Shkodër, termi merr vlerën maksimale) u shfaq në momentin e duhur.

Për këtë mjafton të shikosh mobilizimin e policisë së Shkodrës e cila u kujtua vetëm pas fjalëve të Lulzim Bashës se këto 5 vitet e fundit nuk kishte guxuar të vinte këmbë në Rus. Në Dobraç edhe pas kësaj shkundje nuk pati guximin të shkonte, dhe ky është pjesë e mjerimit të madh.

Por, dy fjalë opozita pas sotit i meriton.

Të gjithë u ndjemë të befasuar, pse jo dhe disi të kënaqur kur u njoftua se fronti opozitar nuk do të blegërinte në parlament, por do të hungërinte në Shkodër. Me siguri Edi Rama kur ka mësuar për vendimin ka kërcitur dhëmbët, e ka përplasur duart mbi tryezë.

Nuk e di nëse është ndjerë i ‘tradhtuar’. Por më pas me shumë gjasë ka mbështjellë shuk fjalimin e gjatë që kish qesëndis ndoshta që gjatë pushimeve në Vuno, gjatë udhëtimeve me çarter apo edhe gjatë kthimit me helikopter në Tiranë për të vazhduar traditën e kryefjalës ‘nuk keni parë asgjë akoma’ në vigjilje të sezonit politik.

Kjo pasi për njëherë të vetme pas 5 vitesh, me shumë gjasë jo vetëm qytetarët e Shkodrës, por edhe ai vetë ndjeu ‘aromë opozite’!

Opozita fjalën ka si akt, e kur akti bëhet në momentin e duhur edhe fjalë merr vlerën maksimale. Fundja ‘fjala kocka s’ka, por kocka thyen’.

E sot fjala e opozitës e thënë në vendin e duhur, sigurisht që nuk e theu kockën e qeverisë, por disi e lehtësoi dhimbjen e thikës së krimit të ngulur në ashtin e qytetarëve me lejen e kryeqeveritarit memec për një ditë.