SHBA e Gjermania, pozicione të kundërta për shkëmbimin e territoreve Serbi-Kosovë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania kanë pozicione të kundërta për sa i përket planit të mundshëm të rishikimit të kufijve midis Serbisë e Kosovës dhe zgjidhjes së një prej konflikteve të fundit të mëdhenj territorialë në Evropë, me Berlinin të shqetësuar se kjo lëvizje do të hapte kutinë e Pandorës në disa nga vendet më të varfra të rajonit.

Kosova, e cila shpalli pavarësinë më 2008, konsiderohet nga Serbia si shtet i shkëputur nga ajo. Por për të siguruar përkrahje për një anëtarësi të mundshme në Bashkimin Evropian, liderët e të dy vendeve po marrin në konsideratë ndryshimin e kufijve që do t’i bënin dy shtetet më homogjene etnikisht dhe nga ana fetare. Që më 1999, në Kosovë ka pasur përplasje të përsëritura midis serbëve etnikë dhe shqiptarëve, sidomos në qytetin e ndarë verior të Mitrovicës.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton tha javën e kaluar se Washington nuk ka ndonjë shqetësim nga kjo ide, pavarësisht dy dekadave kundërshtim nga Perëndimi. Por zyrtarët gjermanë thanë të premten se mbeten shumë skeptikë. “Nuk i mendojmë si konstruktive diskutimet për shkëmbim territoresh midis Kosovës e Serbisë”, tha ministri i jashtëm gjerman Heiko Maas para diskutimeve të zhvilluara në Vienë midis ministrave të jashtëm të BE dhe zyrtarëve ballkanikë. “Mund të hapë shumë plagë të vjetra midis njerëzve atje”. Përkrahja e SHBA për shkëmbim territoresh në Ballkan është vetëm një nga çështjet mbi të cilat Berlini e Washingtoni nuk janë dakord. Presidenti Trump ka kritikuar kancelaren Merkel për shpenzimet ushtarake relativisht të ulta të Gjermanisë, për tregtinë midis dy vendeve dhe përkrahjen e Berlinit për marrëveshjen bërthamore me Iranin. Ideja e rishikimit të kufijve për t’i bërë vendet ballkanike më homogjene etnikisht nuk preferohet nga shumë qeveri evropiane.

Disa nga zyrtarët më të lartë të Evropës e kanë nisur karierën e tyre në Ballkan dhe i kanë parë me sytë e tyre luftërat në ish-Jugosllavi, në të cilat vdiqën 140 mijë njerëz. Megjithatë, edhe BE ka kërkuar prej vitesh zgjidhje për konfliktin Kosovë-Serbi. Shefja e politikës së jashtme në BE, Federica Mogherini, tha të premten se është e hapur për një marrëveshje për shkëmbim territoresh nëse ajo është në linjë me BE dhe ligjet ndërkombëtare. Çështje kyç nga konfliktet, të cilët vazhduan në fillim të viteve 2000, mbeten të pazgjidhura: Bosnjë Hercegovina mbetet e përçarë, me një enklavë serve që gëzon autonomi të madhe. Serbia nuk e njeh Kosovën dhe as nuk mund të hyjë në BE për sa kohë që kjo mosmarrëveshje nuk zgjidhet. Washingtoni dhe Berlini përgjithësisht janë parë sy më sy në rajon që kur Presidenti Bill Clinton drejtoi bisedimet për paqe në Dayton më 1995 që sollën një paqe të sikletshme në teatrin qendror të luftërave jugosllave: Bosnjë Hercegovinë. Por nën drejtimin e Presidentit Trump SHBA ka dhënë sinjale interesimi për të kthyer në kah të kundërt politikën amerikane në rajon.

Kur Kosova shpalli pavarësinë më 2008, Serbia, e përkrahur nga Rusia, refuzoi ta pranonte. Ndonëse ka drejtuar bisedimet midis dy vendeve, edhe BE është i përçarë për konfliktin Kosovë-Serbi. Pesë vende anëtare, përfshirë Spanjën, nuk e njohin Kosovën. Javët e fundit, presidentët e Serbisë e Kosovës thanë se janë gati për bisedime të reja. Presidenti serb Aleksandr Vuçiç pritet të bëjë propozimin e tij gjatë vizitës në Kosovë. “Nëse dy palët bashkëpunojnë dhe arrijnë një marrëveshje, ne nuk i përjashtojmë rregullimet territoriale”, tha Bolton javën e kaluar gjatë një konference shtypi në Ukrainë. “Pa diskutim që është një temë e vështirë... Por ne nuk do të bëhemi pengesë”.

Marrëveshja mund të përballet me kritika të ashpra të brendshme. Kleri ortodoks serb e ka kundërshtuar një lëvizje të tillë, ashtu siç kanë bërë dhe liderë politikë kosovarë. Zyrtarë në Bosnjë kanë shprehur shqetësimin se kjo do të nxitë dëshirën për pavarësi të liderit serbo-boshnjak Milorad Dodik. Disa liderë evropianë druhen se kjo do të nxitë konflikte të reja etnike në Maqedoni, e cila ka përjetuar shpërthime sporadike dhune që kanë përfshirë pakicën shqiptare. “Duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të mos shkaktojmë probleme të reja”, tha ministri i jashtëm finlandez Timo Soini. “Kufijtë në rajon janë të pandryshueshëm”, deklaroi Merkel.

Këtë javë, Mogherini do të presë Vuçiç e Thaçin në Bruksel. Dy presidentët ishin rreshtuar në palët kundërshtare gjatë konfliktit më 1999 dhe tani janë figura dominuese politike në vendet e tyre. Ndonëse asnjë nga palët nuk ka bërë të ditura detaje, shkëmbimi i territoreve mund të sjellë kalimin e pjesës veriore të Kosovës nën Serbi, ndërsa Kosova fiton territor në luginën e Preshevës, e cila shtrihet në anën serbe të kufirit të njohur nga Perëndimi. Vuçiç, qeveria e të cilit po avancon në bisedimet për anëtarësim në BE, tha javën e kaluar se dëshiron përkrahje nga Evropa për marrëveshjen.