Spanja kundër korrigjimit të kufijve Kosovë-Serbi

Negociatat për një zgjidhje pajtimi mes Kosovës dhe Serbisë, ka hyrë në një fazë vendimtare dhe të dyja vendet aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Por, projekti, përveç në vende të tjera, mund të hasë edhe në rezistencën e Spanjës, njërit nga pesë vendet e BE-së që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Asnjë nga qeveritë spanjolle nuk e ka lidhur kundërshtinë e tyre ndaj kësaj çështjeje me gjendjen politike në Katalonjë apo në Rajonin Bask, por shumica e analistëve ia atribuojnë këtë qëndrim të qeverisë frikës nga precedenti i ndarjeve të njëanshme nga Spanja dhe anëtarësimit të tyre të mëvonshëm në BE.

“Komisioni Evropian, që vepron si ndërmjetës mes Prishtinës dhe Beogradit, të premten që lamë pas, gjatë një takimi joformal të ministrave të Jashtëm të BE-së, në Vjenë, tha se shpreson të mbyllë këtë çështje brenda muajve gjë që do të shënonte kapitullin e fundit të ndarjes së përgjakshme të Jugosllavisë, ku e ka zanafillën shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës”, raporton “ElPais”.

Qeveria spanjolle do të kundërshtojë çdo marrëveshje mes Kosovës e Serbisë që për bazë ka ndarjen e territoreve në baza etnike.

Kështu ka thënë delegacioni spanjoll i cili qëndroi në Vjenë të premten, delegacion ky i kryesuar nga ministri i jashtëm, Josep Borrell.

“Ne nuk jemi pengesë. Por, zgjidhjet që kanë për bazë ndarjen etnike të territoreve ngrenë shumë rezerva logjike”, citon “ElPais”  deklaratën e ministrit Borrell, pas takimit të shefave të diplomacive të vendeve evropiane me homologët e tyre të vendeve të Ballkant Perëndimor.

Sipas gazetës, brengën spanjolle e kanë edhe disa partnerë të tjerë evropianë, të cilët frikësohen se Serbia dhe Kosova do të lëkundin hartën e Ballkanit edhe një herë dhe do të prishin stabilitetin edhe ashtu fragjil që ka mbretëruar atje që nga fundi i luftërave më 1999.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, ka paralajmëruar në Vjenë se shkëmbimi i territoreve “mund të rihap shumë plagë të vjetra në mesin e popullatave dhe për këtë jemi shumë skeptikë për këtë propozim”, duke iu referuar propozimit të presidentëve Thaçi dhe Vuçiq të cilët dolën haptas në takimin e Vjenës të javës së kaluar.

E përditshmja spanjolle thekson se ridefinimi i kufijve në baza etnike mund të nxisë ndarje edhe në Bosnje e Hercegovinë, ku popullsia serbe është shumicë në zonën e Republikës Serbe. Një domino e frikshme mund ta kthejë rajonin e Ballkanin sërish, 20 vjet pas masakrave, komnflikteve të përgjakshme dhe pastrimit etnik në rajon.

Të dy, Thaçi e Vuçiqi, kanë qenë dëshmitarë dhe protagonistë të këtyre episodeve të tmerrshme. Presidenti serb ka qenë aktiv në një formacion ultranacionalist dhe ka qenë edhe ministër gjatë luftës në Kosovë. Lideri kosovar udhëhoqi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, grupit gueril që luftoi për pavarësi nga Serbia.

Tani, të dyja këta duken të gatshme të ndryshojnë faqe për t’u dhënë perspektivë evropiane vendeve të tyre, madje edhe me rrezikun që sërish të trazojnë “folenë e grerëzave” dhe të shkaktojnë zemërim në disa vende evropiane, të cilat u frikësohen pasojave serioze gjeostrategjike.

Një nga grupet më fjalëpaka është Spanja, refuzimi i së cilës për të njohur Kosovën deri më tani është duartrokitur nga Beogradi. Por, qëndrimi spanjoll mund të komprometohet nëse qeveria serbe vendos vetë mbi çështjen. Rumania, e cila, së bashku me Spanjën, Greqinë, Sllovakinë dhe Qipron, e përbëjnë pesëshen e BE-së që nuk e njohin Kosovën, tashmë ka pranuar se mund të ndryshojë qëndrimin në rast se Serbia pajtohet me territorin që i është shkëputur 10 vjet më parë.

Komisioneri Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn, ka thënë në Vjenë se “gjëja e parë që duhet bërë është t’i lëmë vendet e rajonit të gjejnë një zgjidhje dhe më pas Spanja do të vendosë”.

“Nuk do të bëhemi më papë se Papa”, ka thënë Borrelli, ndonëse ka shprehur pakënaqësinë e tij në lidhje me marrëveshjen e mundshme për korrigjim të kufijve, përfundon “ElPais”, transmeton Koha.net.