VIDEO/ Vrasja e biznesmenit shkodran, dalin pistat ku po hetohet

Një 30-vjeçar, babai i dy fëmijëve të mitur, biznesmen i njohur në Shkodër dhe Velipojë është vrarë me breshëri kallashnikovi teksa po kalëronte me dy miqtë e tij.

Policia e këtij qyteti ka përqendruar hetimet e saj në disa anëtarë të grupeve kriminale që veprojnë në Shkodër, pasi dyshohet se vrasja lidhet me gjobat financiare që mund t’i jenë vendosur këtij biznesmeni.

Policia ka dalë në këtë konkluzion pasi, viktima nuk njihej si person me precedentë penalë apo që të jetë përplasur me grupet kriminale, por ka shumë gjasa se vrasja e tij mund të ketë ndodhur vetëm për shkak të gjobave financiare, pasi 30-vjeçari dhe babai i tij gëzojnë biznese të shumta në Shkodër.

Për më tepër familja Ferracaku njihet në Shkodër me reputacion të mirë, dhe jo konfliktualë.

Ditën e sotme, në Shkodër ishte planifikuar të bëhej një aktivitet sportiv lidhur me garat me kuaj, dhe për këtë qëllim 30-vjeçari Arjan Ferracaku, kishte dalë të kalëronte së bashku me dy shokë të tij.

Por teksa vraponin mbi kuaj, një breshëri kallashnikovi i ka marë jetën babait të dy fëmijëve. Ferracaku njihet si biznesmen dhe pronar i hotel ‘Fantazia’ në Velipojë dhe restorantit ‘Zus’ që ndodhet sa kalon urën e Bunës në Shkodër.

‘Vrasja është regjistruar në orën 13:50, në breg të liqenit të Shkodrës, në livadh, tek hidrovori i fshatit Dobraç, Shkodër, është vrarë me armë zjarri shtetasi Arjan Ferracaku 30 vjeç banues në lagjen Guerile Shkodër’,-thuhet në njoftimin e policisë së Shkodrës.

Zona ku ka ndodhur krimi, njihet nga policia si vendi ku shpesh herë atentatorët kanë djegur makinat, menjëherë pasi kanë qëlluar objektivat e tyre.

Sipas burimeve të policisë Ferracaku rezulton të jetë djali, i një prej biznesmenëve më të njohur në zonën e Shkodrës, pasi administron biznese plastike dhe duralumini.

Ndërkohë mësohet se plumba veç Arjan Ferracakut ka marrë dhe kali i tij i hipizmit. /Shqiptarja.com