Shpërthen trajneri i Kroacisë: Ronaldo është egoist, kurrë s’do ta pranoja në ekipin tim

Fakti se Cristiano Ronaldo nuk mori pjesë në gala mbrëmjen e ceremonisë së UEFA për ta parë ish-bashkëlojtarin e vet, Luka Modric, duke e fituar çmimin Lojtari i Vitit në Evropë, ka nxitur një debat të nxehtë në Kroaci, me trajnerin e ekipit kombëtar, Zlatko Dalic, që ka reaguar ashpër.

Duke e quajtur vetjak tani asin e Juventusit, Dalic ka thënë se ai kurrë nuk do ta ndërtonte një skuadër përreth tij.

Ronaldo, që e fitoi çmimin Sulmuesi më i Mirë i Vitit në Evropë, por jo atë kryesorin që i takoi Modricit, kishte vendosur në momentet e fundit të mos ishte i pranishëm në ceremoni, duke shprehur pakënaqësi pse çmimi s’i ishte ndarë atij por Modricit.

“Ronaldo është vetjak dhe kurrë nuk do ta dëshiroja në skuadrën time”, tha Dalic në një intervistë për Sportske Novosti.

“Ai është nga ata lojtar që mendon ‘edhe nëse humbasim, e vetmja gjë që ka rëndësi është unë të shënoj gol’”, shtoi ai.

Sa për Modricin, Dalic e uroi atë për çmimin dhe tha se është krenar sesi mesfushori i Real Madridit nuk ka ndryshuar aspak përkundër famës dhe lavdisë.