Aventura Thaçi-Vuçiç i paraprin një katastrofe të re ballkanike

Rregulli numër një për ndryshimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor është se gjithmonë bëhet fjalë për Bosnjë Hercegovinën.

Teksa presidentët e Kosovës e Serbisë, Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiç, po kërkojnë përkrahjen e Bashkimit Evropian për një “shkëmbim trojesh” midis vendeve respektive, duhet pasur parasysh se biseda për copëtim – sepse kështu është në të vërtetë – të Kosovës nuk është për Kosovën, por për Bosnjë Hercegovinën.

Është disi ironike që Thaçi e Vuçiç e nisën haptazi çështjen e ndryshimit të kufijve midis Kosovës e Serbisë në përpjetorin e një tjetër përpjekjeje për copëtimin e Bosnjë Hercegovinës.

Në gusht 1939, kryeministri i Mbretërisë së Jugosllavisë, Dragisha Cvetkoviç, dhe lideri politik kroat Vladko Maçek arritën një marrëveshje sipas së cilës Bosnjë Hercegovina pushonte së ekzistuari si njësi më vete politike e administrative, me rajonin autonom të Kroacisë që aneksonte thuajse një të tretën dhe rajoni i Serbisë që merrte pjesën e mbetur. Pakti njihet si marrëveshja Cvetkoviç-Maçek.

I pyetur pas Luftës së Dytë Botërore për statusin që i akordohej popullsisë muslimane të Bosnjës e Hercegovinës në marrëveshje, Maçek – që cilësohet si burrë i madh shteti në Kroacinë e sotme – u përgjigj: "Ramë dakord, që kur të vijë puna te Bosnja e Muslimanët, t’i konsiderojmë muslimanët sikur nuk ekzistojnë. Dhe kështu bëmë”.

Ndërsa ndryshimet e kufijve në Ballkanin Perëndimore cilësoheshin si të paimagjinueshëm vetëm pak vite më parë, ai që njihet si komuniteti ndërkombëtar duket se po rreshtohet pas eksperimentit Thaçi-Vuçiç. Kështilltari për Sigurinë Kombëtare në SHBA John Bolton ka deklaruar së fundmi se "Washingtoni nuk do të ndërhyjë në idenë e shkëmbimit të territoreve midis Serbisë e Kosovës”.

Edhe deklaratat e Komisionerit të BE për Zgjerimin, Johannes Hahn, duket se pasqyrojnë këtë qëndrim. “Ata duhet të gjejnë zgjidhje, ne do të vështrojmë me mendje të hapur. Por mbi të gjitha, marrëveshja duhet të kontribuojë për stabilitetin rajonal dhe rrugën drejt BE për të dyja”, ka thënë ai kohët e fundit.

Ky ndryshim në pozicionin për shkëmbim territoresh në BP në thelb do të thotë se BE ka vendosur t’i hedhë nga dritarja njëzet vjet përpjekje angazhimi në rajon.

Problemi është se po e bën në një kohë telashesh në horizont. Çfarëdo që të jetë marrëveshja midis Thaçit e Vuçiçit, duket se pjesë e saj është edhe anëtarësimi i Kosovës në OKB.

Por vetëm pak javë më parë, presidenti i njësisë së shumicës serboboshnjake në Bosnjë, Milorad Dodik, tha se nëse Kosova njihet nga OKB dhe institucione të tjera ndërkombëtare, edhe serbët e Bosnjës “do të kërkojnë një vend” në OKB; me fjalë të tjera ata do të kërkojnë pavarësinë.

Këto nuk janë fjalë bosh. Dodik ka qenë për një kohë të gjatë klient i Rusisë. Rusia, nga ana e saj, përkrah në mënyrë aktive politikanët vendas dhe aktorët paramilitarë që kërkojnë të ndajnë Bosnjë Hercegovinën, duke synuar ndalimin e integrimit të mëtejshëm të rajonit me Perëndimin. Qeveria ruse ka armatosur policinë e saj në vitet e fundit.

Ndër vite, Dodik ka shpenzuar miliona dollarë me lobime në Washington me qëllim prishjen e konsensusit brenda elitës politike amerikane për pandryshueshmërin e kufijve boshnnjakë. Një ndryshim tokash midis Kosovës e Serbisë do t’i jepte precendin që i nevojitet për të ndjekur synimet e tij të ndarjes së Bosnjës.

Kroaci gjithashtu ka interes në ndryshimin e kufijve në Ballkan. Ajo ka histori aneksimi territoresh të Bosnjë Hercegovinës përmes politikave të përgjakshme.

Në vitet ’90, Kroacia krijoi një “shtet” në territorin boshnjak me synimin e Kroacisë së Madhe përmes politikës brutale të vrasjeve masive, kampeve të përqendrimit dhe përdorimit sistematik të muslimanëve krah pune i detyruar.

Klasa politike kroate nuk kërkon ndjesë për këtë, njësoj si për historinë e errët të bashkëpunimit me nazistët gjatë luftës dhe të ndihmës në genocidin ndaj hebrejve, romëve dhe komunistëve serbë.

Në vitet e fundit, shoqëria kroate ka rizbuluar identitetin e saj si “kufi kulturor”, duke mbrojtur Evropën nga “masakra islamike” e imagjinuar.

Serbia e Kroacia po armatosen rëndë. Kroaci bleu F-16 nga Izraeli, ndërsa Serbia MiG-29 nga Rusia. Të dyja vazhdimisht shpifin për muslimanët boshnjakë dhe e keqinterpretojnë vendin si “zemra e ISIS” në Evropë.

Një portal i rëndësishëm serb nxori një hartë të rajonit me gjysmën e Bosnjë Hercegovinës si pjesë e Serbisë.

Mësimi më i rëndësishëm i viteve ’90 është se nuk ka asgjë të manaxhueshme në ndryshimin e kufijve në Ballkan. Përpjekjet për ndryshim kufijsh gjithmonë janë pasuar nga gjakderdhje. Duke përkrahur aventurën Thaçi-Vuçiç, BE dhe SHBA po firmosin një tjetër katastrofë ballkanike.

Sapo të krijohet precedenti i Kosovës, nacionalistë kroatë e serbë do ta kthejnë vështrimin nga Bosnjë Hercegovina dhe popullsia e saj muslimane.