Luftëtari sfidon Flamurtarin për të dalë nga kriza, Partizani vetëm për fitore ndaj Kastriotit

Luftëtari-Flamurtari dhe Partizani-Kastrioti. E shtuna e Superiores vjen me dy sfida shumë interesante në ekranin e Supersport.

Luhet java e tretë e kampionatit e cila nisi me duelin e Korçës mes Skënderbeut dhe Laçit dhe vazhdon me sfidën e Gjirokastrës. Në orën 16:45 Luftëtari pret në shtëpi Flamurtarin e Ilir Dajës.

Bluzinjtë e kanë nisur në mënyrën më të keqe të mundshme këtë sezon teksa pas turpit që përjetuan në Europë kanë pësuar edhe dy humbje minimale në dy ndeshjet e para të kampionatit.

Largimet e Abazajt dhe Bregut por edhe ai i kapitenit Beqiri si dëmtimet e Rrocës e Jakovljevic kanë lënë një boshllëk të madh te bluzinjtë të cilët sot duhet të bëjnë meodomos kthesën dhe të marin pikët e para në kampionat pasi në rast të kundër, pozitat e trajnerit slloven Milos Kostic në stolin e Luftëtarit do të lëkundeshin ndjeshëm edhe pse ky i fundit ka një kontratë afatgjatë me gjirokastritët.

Flamurtari nga ana tjetër po merr menjëherë fizionominë e Dajës dhe në dy javët e para edhe pse nuk ka bindur me lojë ka marrë 4 pikë shumë të rëndësishme.

Në orët e fundit vlonjatët rikthyen në skuadër sulmuesin brazilian Danilo Alves i cili mbylli shumë shpejt aventurën e tij me skuadrën e kategorisë së dytë turke Afjet Afyonspor, megjithatë Alves nuk do të jetë gati për takimin ndaj gjirokastritëve.

Në mbrëmje Partizani do të synojë fitoren e dytë radhazi përballë Kastriotit. Në Selman Stërmasi, skuadra e Gegës do të luajë vetëm për tre pikët ndërsa të gjithë sot në kampin e kuq, presin zhbllokimin e sulmuesit Rubin Hebaj. Kastrioti ndërkohë synon t’i shkëpusë ndonjë pikë Partizanit por për skuadrën e Plorit ky mision do të jetë shumë i vështirë.