Avokati i pronarëve në Strasburg: Qeveria Rama ka bërë presion sistematikisht!

Skandalit të video-përgjimit, Biba-Bianku, prej të cilit zbulohen fijet e përpjekjeve të Qeverisë Rama për të ndikuar në Gjykatën e Strasburgut, i ka hedhur edhe më shumë dritë avokati i pronarëve shqiptarë në këtë gjykatë.

Avokati Sokol Puto, ka deklaruar se qeveria shqiptare ka tentuar herë pas herë të bllokojë procesin e shqyrtimit të çështjeve të pronave, duke i mohuar drejtësinë qytetarëve shqiptarë.

Në një intervistë për gazetën Panorama të botuar ditën e sotme, Puto nuk komentoi audio-përgjimin mes të dërguarit në Strasburg të Engjëll Agaçit, Denar Biba dhe gjyqtarit Ledi Bianku, por tha se, përmes vizitave të shpeshta qeveria ka ushtruar dukshëm atë që sipas tij mund të quhet një formë presioni, ndaj GJEDNJ-një:

“Qeveria ka dërguar përfaqësuesit e saj në Gjykatën Evropiane për të takuar drejtues të gjykatës për të njëjtën çështje [shtyrjen e proceseve]. Ka qenë ish-ministri i Drejtësisë Manjani dhe ministri i Financave Ahmetaj që kanë shkuar në Gjykatë. […] Të gjitha këto çfarë mund t’i quajmë? Qeveria në Strasburg është palë, siç është pronari palë nga krahu tjetër. Dhe njëra palë nuk mund të shkojë të takojë gjykatën dhe të thotë, më bëni këtë apo atë. Nuk ka sens.

Vajtja e qeverisë atje, në mënyrë zyrtare për të takuar kryetarin e gjykatës, formë presioni është sepse presioni nuk bëhet vetëm thjesht duke thënë “shiko po nuk e bërë ti këtë, unë do të bëj këtë”. Presion është kur i thua gjykatës “na jep një çikë dorë në këtë punë se për efekt të vlerës ne mund të falimentojmë, e kemi të papërballueshme”. Edhe ky një formë presioni është.”

Sipas avokatit Puto, qeveria shqiptare nëse kërkon të ndërhyjë në këto procese, të vetmen alternative që ka është t’i drejtohet Këshillit të Evropës:

“Nëse do ta ngresh këtë gjë në nivel politik, [qeveria] s’ka punë me Gjykatën Evropiane, por me Këshillin e Evropës. Atje ti përballesh me kërkesën e llogarisë. Çdo lloj takimi që bëhet në gjykatë, është i gabuar.”