Samsung prezanton televizorin 8K, por s'ka video me këtë rezolucion!

Kompania Samsung ka prezantuar televizorin e parë me rezolucion 8K, i cili do të dalë në treg në tetor. I quajtur Q900R, televizori i ri do të ofrojë një panel QLED të disponueshëm në katër versione prej 65, 75, 82 e 85 inç dhe do të ketë ndriçim maksimal prej 4000 nit.

Problemi kryesor me Q900R është se ende nuk ka filmime me rezolucion 8K, çka do të thotë se Samsung duhet të mbështetet në përshtatjen e pamjeve me rezolucion më të vogël. Një procesor i dedikuar do të përdorë inteligjencë artificiale për fuqizimin e imazhit në një nivel kompatibël me 8K dhe burimi origjinal mund të jetë në çdo cilësi apo format. I parë krah për krah me një televizor 4K, nuk është se dallohet ndonjë ndryshim mbresëlënës.

Elementi kyç që do ta bëjë popullor për blerësit e parë është aftësia për të përshtatur imazhet 720p e 1080p për t’i bërë të duken më mirë. Samsung ka investuar rëndshëm në Inteligjencën Artificiale për të krijuar pajisjen e re.

Procesori Quantum është në gjendje të përmirësojë vazhdimisht imazhet, duke reduktuar defektet që janë të zakonshme në rezolucionet më të ulta. Një tjetër karakteristikë interesante është fakti që ai mund të përshtatë konfigurimin në çast, bazuar në pajisjet që lidh dhe atë çka është duke bërë përdoruesi. Ndërsa duket i pabesueshëm, është e sigurt që edhe çmimi i televizorit të ri do të jetë në të njëjtin nivel me cilësitë e tij.