Klopp flet pas shortit të Championsit dhe përballjen në Serbi ndaj Crvena Zvezdas

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp ka kujtuar kohën kur është përjashtuar gjatë ndeshjes me Napolin, ndërsa pret një ndeshje “interesante” me PSG dhe një transfertë të vështirë në Beograd.

Liverpool, PSG, Napoli dhe Crvena Zvezda po konsiderohet një grup i fortë ndërsa Klopp është duke i pritur këto ndeshje krah hapur.

“Që të jem 100 për qind i ndershëm, nuk ishte grupi që e kisha dashur por këto gjëra priten. Pritja një grup të vështirë, ne kemi pasur grupe të vështira por për këtë është Liga e Kampionëve”, ka thënë Klopp.

“PSG janë njëra nga skuadrat më të mira në botë dhe mendoj që synim i tyre është ta fitojnë Ligën e Kampionëve, kështu që do ti kemi dy ndeshje interesante”.

Liverpooli e mundi Napolin e Carlo Ancelottit me rezultat 5-0 në miqësore parasezonale, por trajneri i Napolit sapo kishte filluar punën në skuadër.

“Napoli? Ne fituam në ndeshjen parasezonale, por duhet ta pranojmë që këto dy ndeshje do të jenë tërësisht ndryshe. Kam qenë në Napoli me Dortmundin, kështu që e di çfarë atmosfere mbizotëron atje”.

“Crvena Zvezda, i pashë në ‘Play Off’. Ata kaluan në presion dhe pres sidomos në stadiumin e tyre një situatë shumë të tensionuar”, ka thënë Klopp