Sulmi ndaj gazetares, reagon Gjykata e Lartë: Shqetësim serioz dhe veprim i ulët kriminal, të zbardhet sa më parë

Gjykata e Lartë dënon aktin e kryer në banesën e gazetares Klodiana Lala, mëngjesin e sotëm, duke e cilësuar atë si një veprim të ulët dhe kriminal ndaj kujtdo që ushtron një profesion që lidhet me lirinë e fjalës.

“Ngjarja e rëndë ndaj Znj. Lala, dhe rreziku që iu kanos sot pjesëtarëve të familjes së saj, përbën një shqetësim serioz për të gjithë qytetarët dhe shoqërinë shqiptare, e cila është e interesuar për sigurinë dhe mirëqenien e kujtdo invidi, në ushtrimin e çfarëdo funksioni në shërbim të së vërtetës.

Gjykata e Lartë, duke vlerësuar raportin korrekt me gazetaren Lala dhe profesionalizmin e saj, i drejtohet organeve kompetente për zbardhjen sa më të shpejtë të kësaj ngjarje dhe vënien përpara drejtësisë së autorëve të këtij akti të shëmtuar”, thuhet në reagimin e Gjykatës së Lartë.

Ngjarja ndodhi orët e para të mëngjesit të sotëm. Në drejtim të banesës së prindërve të gazetares në Tiranë u qëllua me armë zjarri ndaj rreth orës 03,00. Fatmirësisht nuk pati të lënduar. Autorët e krimit janë ende të paidentifikuar nga policia, që njoftoi se po punon për zbardhjen e ngjarjes.

Sulmi me armë solli reagime të shumta, që nga kolegët e gazetares e deri figurat e institucionet kryesore të politik-bërjes në vend. Madje, edhe një proteste u zhvillua para Kryeministrisë, në shenjë solidariteti me gazetaren.

Vetë Klodiana Lala, në një reagim, tha se dyshon se sulmi ka ardhur për shkak të punës së saj si gazetare.