Sonila Meço: Sulmi ndaj Klodiana Lalës nuk ishte vetëm ndaj saj, por për çdo gazetar në Shqipëri

Sulmi ndaj gazetares Klodiana lala është dënuar me forcë sot nga të gjithë kolegët e saj gazetarë dhe aktorë politikë. Gazetarja So0nila Meço, e ka cilësuar sulmin me armë në shtëpinë e prindërve të Klodiana Lalës si një kërcënim jo vetëm për gazetaren në fjalë, por për çdo gazetar në Shqipëri.

Me anë të një postimi në Facebook, Meço shkruan se sulmi ndaj gazetares dhe gazetarëve në Shqipëri nuk vjen krejt papritur, por ai është ushqyer me fjalë edhe nga vetë politika, ndërsa citon disa fjalë të kryeministrit Rama kur ‘kërcënonte’ gazetarët në konferenca për shty, vetëm e vetëm se nuk i pëlqente pyetja:

Mënyra e hapur e sulmit ndaj shtëpisë së prindërve të Klodiana Lalës, nuk është paralajmërim vetëm për të. Do kishin provuar forma intimidimi edhe pa breshëri mesnate, që zgjojnë ndërgjegje edhe përtej kufijve. Por shkrepjet ishin për çdo gazetar, intelektual e aktivist brenda vendit, që guxon të raportojë, hetojë e dyshojë me profesionalizmin, përkushtimin dhe këmbënguljen e Klodianës. Dhe ndërsa presim me padurim zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e autorëve, që mund të jenë edhe thjesht të porositur, ekzekutues të bindur të një urdhëri, që nuk kanë parë kurrë lajme e s’njohin as Klodianë e as kolegë të saj, le të sjellim ndërmend çfarë inkurajon ndër të tjera krimin të veprojë kaq serbes.

Kur dënon dhunën ndaj gazetarëve, kujtohu nëse ke shërbyer për vënien e tyre nën shënjestër me retorikë të ashpër e sulme verbale të pafrè ndaj punonjësve të medias. Vlen kjo për secilin, nga opinioni i thjeshtë në rrjet tek kumtet publike në konferenca shtypi të kokave të kombit.

P.sh e keni menduar si ndikon një fjalim i tillë në psiqikën e kujtdo i përvidhet investigimit gazetaresk:

“Ju jeni per t’u qarë hallin dhe unë ju pergjigjem si ma do e bardha zemër.

Mos u ofendoni fare se ju e ulni dhe ngrini këdo si ju teket edhe kujtoni se askush nuk ka të drejtë t’ju thotë se jeni pjesë e një kazani të madh. Jam këtu për tu marrë me ju dhe t’ju them që duhet t’i thërrisni mendjes dhe të lexoni dhe të kuptoni ju dhe ata që ju paguajnë ju dhe që janë edhe më shumë problemi.”?