Shehi racional: Pres një Laç tjetër, Fili i ka treguar vlerat në Superiore

Laçi i kampionatit do të jetë ndryshe nga ai i Superkupës. Këtë e ka të qartë trajneri i Skënderbeut, Orges Shehi, që në konferencën për shtyp para sfidës së radhës me kurbinasit theksoi.

“Luajmë me një kundërshtar me të cilin u përballëm në Superkupë. Ndeshja e Superkupës ka një specifikë të veçantë, nuk është njësoj me të kampionatit. Kundërshtari ka skuadër të mirë, të re, por mënyra se si luan të jep përshtypjen e një skuadre kompakte. Ka katër pikë në tabelën e klasifikimit, kështu që është një ndeshje e vështirë. Kjo sidomos edhe për faktin që luajmë pa tifozë”.

Shehi paralajmëron ndryshime në formacion, në varësi të formës së lojtarëve të veçantë:

“Sigurisht që ndeshje pas ndeshje, në varësi edhe të gjendjes së lojtarëve, do të bëhen ndryshime. Nuk e kemi vendosur formacionin. Duke ditur që afrimet kanë ardhur në ditët e fundit, shpresojmë që të përshtaten sa më shpejt me grupin”.

Sa i përket afrimit të Realdo Filit, trajneri durrsak nuk ka dyshim bëhet fjalë për një lojtar që i ka treguar cilësitë e tij në Superiore.

“Fili është një lojtar që i ka treguar vlerat në kampionatin tonë, e njeh, jo si disa lojtarë të tjerë që kanë ardhur nga kampionate të ndryshme dhe duan kohën për t’u përshtatur. Duke parë gjendjen e lojtarëve do të përzgjedhim 18 futbollistët për ndeshjen me Laçin”.

Shehi vazhdon të këmbëngulë në idenë se duhen përkrahur sa më shumë lojtarët e rinj.

“Janë në një moshë të re dhe duan përkrahje e besim. Më vjen mirë që po shfaqen mirë dhe po japin maksimumin. Të gjithë janë të Skënderbeut, të huaj apo shqiptar, të gjithë janë njësoj. Më vjen mirë, që edhe pse janë të rinj po sillen si të pjekur”.

I pyetur për një ndarje të mundshme të skuadrave në bazë të pretendimeve, Shehi Sqaroi:

“Kampionati është i fortë, mund të fitosh me të gjithë, por edhe të humbësh me të gjitha. Të gjitha skuadrat duan vlerësim maksimal. Është shumë shpejt për të bërë ndarjen e ekipeve që pretendojnë për vendet e para, apo për fundin. E thashë, do të jetë kampionat i vështirë”.

Për mungesën e tifozë si pasojë e pezullimit të dhënë nga Disiplina, 40-vjeçari u shpreh:

“Futbolli luhet për tifozët. Na vjen keq që luajmë pa ta në shtëpi. E thashë edhe më parë, do të jetë një ndeshje e vështirë edhe për faktin se do të jemi pa mbështetësit tanë kryesorë”.