ZYRTARE: UEFA licencon stadiumin 'Fadil Vokrri' për Ligën e Kombeve

UEFA, sot, e ka njoftuar zyrtarisht Federatën e Futbollit të Kosovës se stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë, pas renovimit të tërësishëm, i ka plotësuar kriteret dhe është licencuar për zhvillimin e ndeshjeve të Ligës së Kombeve.

Kësisoj, më 10 shtator, në orën 20:45, Kombëtarja e Kosovës do ta zhvillojë ndeshjen e parë në shtëpi kundër Ishujve Faroe, në kuadër të Ligës së Kombeve, tri ditë pasi do ta bëjë debutimin në këtë garë në Baku, në përballje me Azerbajxhanin.

Ndeshja testuese për licencimin e stadiumit “Fadil Vokrri” nga UEFA ishte ajo e Superkupës së Kosovës mes Prishtinës dhe Dritës, shkruan Gazeta Express. 

Për shkak të fishekzjarrëve që kishin hedhur tifozët e Dritës në minutës e 57-të, ndeshja ishte ndaluar për tetë minuta. Për këtë arsye, fillimisht dyshohej se UEFA nuk do ta licenconte stadiumin për shkak të mungesës së sigurisë.

Ndërsa, ndeshja e javës së parë të Superligës së Kosovës, mes Prishtinës dhe Gjilanit, e cila pritej të zhvillohet në “Fadil Vokrri” ishte shtyrë disa orë para fillimit të saj nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Më vonë ishte bërë e ditur se kjo ndeshje është shtyer për shkak se stadiumi nuk ishte licencuar ende nga UEFA dhe duhej të prisnin vendimin e tyre para se të zhvilloheshin ndeshjet.