VIDEO/ Trump u nxjerr kartonin e kuq mediave

Në Uashington, presidenti amerikan, Donald Trump, pati një takim të veçantë dhe shumë të rëndësishëm me kryetarin e FIFA-s, Gianni Infantino, ku diskutuan për organizimin dhe mbarëvajtjen e Kupës së Botës të vitit 2026, që do të luhet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë.

Gjatë konferencës për mediat në Zyrën Ovale, Infantino i dhuroi Trumpit disa sende simbolike, por që janë jetike në botën e futbollit, si kartonët që përdorin gjyqtarët, një fanellë, e të tjera.

Ai madje i shpjegoi Presidentit amerikan rastet kur përdoren kartonët e verdhë ose të kuq gjatë ndeshjes së futbollit dhe Trumpit duket se i pëlqeu tej mase kartonin i kur që përdoret për të “djegur” një lojtar, pra për të nxjerrë atë jashtë fushës së blertë.

“Edhe një gjë – u shpreh Infantino. – Ju e dini, në futboll ne kemi edhe arbitra apo jo? Ata kanë edhe kartonët, të verdhin dhe të kuqin. I verdhi është për paralajmërim, e kur do të përjashtosh dikë… (tregon kartonin e kuq), ndaj mund të jetë e dobishme në të ardhmen, nuk e di”, tha Infantino.

Pasi e dëgjoi me vëmendje, Trump u “mahnit” nga “fuqia” e kartonit të kuq dhe ia nxori atë gazetarëve të pranishëm në sallë, duke treguar kështu me shaka edhe raportet jo fortë të mira që ka me ta.

“Ky është shumë i mirë. Më pëlqen ky”, tha Trump me shaka.

Shtetet e Bashkuara, së bashku me Kanadanë dhe Meksikë, do të organizojnë Kupën e Botës në vitin 2026, për herë të parë që nga spektakli ndërkombëtar që zbriti në SHBA në vitin 1994.