Në Tv Klan vetëm për një sezon? Fati i moderatoreve të reja të ekranit të madh

Si çdo fillim sezoni, Tv Klan, edhe këtë vit, ka prezantuar spotin e ri me një larmi programesh që do të nisin transmetimin muajin e parë të vjeshtës. Krahas programeve tashmë identifikuese të këtij televizioni, si “Aldo Morning Show”, “Rudina”, “Opinion”, “Zonë e lirë”, "Stop", apo spektaklet “E diela shqiptare”, “Xing me Ermalin”, “Dance with me” etj., këtë vit televizioni Klan do të ketë edhe shumë programe që nisin transmetimin për herë të parë.

Kështu, siç janë prezantuar përgjatë javëve të fundit, risi në Klan do të jetë grupi i “Apartamentit 2XL”, i cili, me të hyrë vjeshta, do të nisë me “Duplex”, një program të ri humori. Po ashtu, Turjan Hyska, i konfirmuar tashmë në grupin e Tv Klan, do të nisë shumë shpejt një program që i dedikohet tërësisht familjes, për t’i bërë të gjithë pjesëtarët e saj të argëtohen e të garojnë me lojëra të ndryshme. “Ditë për ditë” do të jetë gjithashtu një program i ri që do të zërë pjesën e paradites në Tv Klan dhe që do të drejtohet nga moderatorja Alba Çobaj.

Por surprizat nuk mbarojnë këtu. Në videon e sezonit të ri, Tv Klan ka prezantuar edhe serialet dhe programe të tjera që do të vijojnë gjatë sezonit të gjatë televiziv. E ndërsa secili e ka zënë karrigen e vet në ekranin e madh, disa imazhe të njohura, por të reja për Klanin, nuk u panë në spotin e sezonit të ri.

Marina Vjollca, pas më shumë se një dekade në Top Channel, erdhi në Tv Klan për një spektakël të gjallë “C’est la vie”, i cili vuri në lojë dhe në sfidë për të kënduar shumë personazhe të njohur të ekranit. Nga një studio e vogël, në një studio të madhe e me shumë publik, Marina nuk e pati aspak të vështirë ta zotërojë skenën, por nuk kaloi edhe pa u komentuar, siç edhe vetë e zuri në gojë mbrëmjet gjatë spektaklit “zërin e lartë”. Ndonëse herë-herë dukej se bërtiste (të paktën kështu u komentua në rrjet), Marina ia doli të rrëmbente publikun për vete, madje edhe një pjesë të mirë të Top-it, që gjithmonë e kanë simpatizuar bionden e bukur të ekranit.

Këtë sezon, ende nuk dihet fati i Marina Vjollcës. Nuk dihet nëse do të bëhet një “C’est la vie 3” apo për të ka ndonjë projekt të ri në furrë? Vetë Marina, veç fotove nga pushimet, gjatë verës, nuk ka dhënë asnjë sinjal për një rikthim të mundshëm në punë, për ndonjë program apo projekt që mund të realizojë. Ajo është gjithmonë e rezervuar për të rrëfyer shumë në publik pa i bërë gjërat konkrete, megjithatë, sapo të kristalizohet projekti i saj, me siguri moderatorja do ta ndajë dhe do ta konfirmojë për të gjithë.

Nevina Shtylla e gjeti veten nga pasarela e Miss-it në ekran fare rastësisht, por nuk ishte e vështirë për të kuptuar që është një figurë e prerë për të qenë këtu. E bukur, e qetë, e matur dhe tepër korrekte, Nevina e kaloi “testin” me Maratona e Këngës verën e vitit të kaluar dhe menjëherë pas saj, iu besua “Jo vetëm modë”, programi i së shtunës pasdite, i cili në atë kohë kishte mbetur pa moderatore pas largimit të Floriana Garos. Nga burime pranë Klanit, mësohet se “Jo vetëm modë” nuk do të transmetohet më. Imazhi i Nevinës nuk është parë as në spotin e prezantimit të sezonit të ri në Tv Klan. Ndërsa vetë moderatorja, e pyetur nga revista Class, tha se në sezonin e ri do të ketë ndryshime, por, për momentin, ajo nuk mund të zbulojë asgjë konkrete. Pritet, ndoshta, që Nevina të bëhet pjesë e ndonjë projekti të ri në vijon pranë këtij ekrani.

Arjola Shehu u bë pjesë e Tv Klan, gjithashtu për një sezon, por edhe fati i programit “Kush vjen për drekë”, që prezantoi ajo, duket se kaq ishte shkruar. Një program me të ftuar që prezantonin recetat e tyre në studio ishte tipik mesdite dhe mjaft i ndjekur nga amvisat, por sapo sezoni u mbyll, Alfio dhe Indriti, dy shefat e njohur të kuzhinës, gjithashtu të ardhur nga InTv si Arjona, duket se i “zunë vendin” moderatores bukuroshe. Gjatë muajve të nxehtë, ata të dy ishin gjithmonë në kërkim të recetave tradicionale të çdo qyteti të Shqipërisë duke promovuar kështu edhe turizmin tonë. “Bukë, kripë dhe zemër” do të jetë pjesë e Tv Klan edhe për sezonin e ri, me titullin “Sfidat e gatimit”.

Pak javë më parë, pasi Class publikoi lajmin se Arjola nuk do të jetë më pjesë e Tv Klan, moderatorja e mohoi me shpejtësi dhe me bindje se ajo do të vazhdonte të ishte në këtë ekran. Por edhe imazhi i saj nuk u pa në spotin që prezanton programet e reja në Tv Klan, kështu që, ndoshta, projektet për të do të konkretizohen në sezone të tjera.

Ndërkohë, edhe Kiara Tito erdhi nga Top Channel, ekrani në të cilin prezantoi “Top Select”, në Tv Klan, për “Doktor plastik”. Një program i konceptuar ndryshe, me personazhe njerëz që jo vetëm guxojnë të përmirësojnë diçka në pamjen e tyre, por guxojnë edhe ta pranojnë publikisht, arriti që për një sezon të krijonte publikun e tij. Kiara dhe grupi i “Doktor plastik” do të vijojnë edhe për sezonin e ri në Tv Klan, madje, e ftuar në fund të sezonit së bashku me autoren e programit, Elda Laze, në “Rudina”, Kiara tha se rastet për “Doktor plastik 2” kishin nisur të shqyrtoheshin ende pa mbaruar sezoni i parë, kështu që puna ka nisur dhe pritet që edicioni i dytë i këtij formati të nisë shpejt.

Me rrugëtimin e programeve të reja në Tv Klan, këtë sezon pritet të zbulohen edhe emra të rinj, të ardhur nga ekrane të tjera apo të promovuar edhe nga vetë ky ekran i madh. Si çdo shtator, edhe këtë vit Tv Klan siguron një paketë të plotë programesh për të gjithë familjen: larmi programesh që përfshijnë të gjitha moshat dhe larmi emocionesh që askund tjetër nuk përjetohen si në Tv Klan.