PD paraqit provën: Ja si miku trafikant i Taulant Ballës përfititoi 1 miliardë lekë nga Buxheti i Shtetit!

Partia Demokratike ka publikuar sot, provën e re zyrtare sesi Buxheti i Shtetit është vënë në shërbim të trafikantëve të drogës; kreu i Grupit të PD, Edmond Spaho, paraqiti para medias dokumentin lidhur me Edmond Begon, biznesmenin e arrestuar së fundmi në Greqi, ish-anëtar i bandës së Aldo Bares dhe mik i deputetit socialist Taulant Balla.

"Miku kriminel i Taulant Ballës", kështu e quajti Spaho, Edmond Begon, bosin e dënuar për trafik droge me 21 vjet burg në Itali, që ka përfituar së fundmi një tender prej 100 milionë lekësh të reja nga OST-ja.

"Të dhënat zyrtare tregojnë se kompania Inerte Express, me pronar trafikantin e drogës dhe mikun e familjes së Taulant Ballës nuk ka përvojë në ndërtimin e nënstacioneve elektrike dhe se këtë funksion ai e shtoi në fund të dhjetorit 2017, - tha Spaho. -  Pak muaj më vonë, kompania pa përvojë e mikut të Taulant Ballës përfitoi një tender publik nga OST në fillim të verës në zemër të zonës elektorale të taulant Ballës në Librazhd. Ky është dokumenti," tha Spaho.