Tjetër aksident në Fier – Levan, pak metra larg vendit ku humbi jetën gruaja shtatzëne

Për këdo që udhëton drejt jugut të vendit aksi Fier-Levan është një nga më problematikët, për shkak të ngushtësisë së rrugës, si dhe qarkullimit të dendur të mjeteve gjatë muajve të verës.

Vetëm sot në afërsi të Liqenit Artificial të Levanit kanë ndodhur dy aksidente. Në aksidentin e parë dy familje që udhëtonin në dy mjete janë përplasur duke shkaktuar disa të plagosur, dhe një viktimë, ndërsa pak metra më tutje një tjetër mjet është rrëzuar në kanal.

Paraprakisht thuhet se në aksidentin e dytë pasojat janë vetëm materiale, e megjithatë emergjenca që në këtë aks të ndërhyhet është shumë e madhe.

Vangjel Prifti, drejtuesi i mjetit i cili përfundoi në kanal në aksidentin e dytë të ndodhur sot në aksin Levan-Fier shprehet se është detyruar të devijojë për shkak të një furgoni me sirena e cila i ka ardhur përballë.

Vonesa në ndërtimin e Baypasit të Fierit ka bërë që mijëra qytetarë në rastin më të mirë të qëndrojnë me orë të tëra në trafik në këto ditë të nxehta, dhe në rastin më të keq të përfundojnë në aksidente të tilla fatale, me pasojë vdekjen.

Aksidentet kanë rënduar edhe më shumë trafikun përgjatë gjithë aksit.