Qeveria përgjysmoi të varfrit që marrin ndihmë

Qeveria ka hequr 28 mijë familje të tjera të varfra nga listat e ndihmës ekonomike vetëm për katër muajt e parë të vitit 2018. Një raport monitorimi i Ministrisë së Financave mbi zbatimin e buxhetit të shtetit thotë se numri i familje të varfra që marrin ndihmë ekonomike nga shteti ka rënë në minimumin historik duke zbritur në vetëm 50 mijë.

” Në programin “Përkujdesi Social” zëri “Familje përfituese të ndihmës ekonomike”, është realizuar me një kosto faktike prej 936 milion lekë për 52.443 familje përfituese nga 70.000 familje të planifikuara,” thuhet në raportin e Monitorimit që Ministria e Financave ka bërë për buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Kjo është fshesa më e fundit mbi të varfrit, që është paraprirë nga disa të tjera gjatë këtyre viteve të fundit. Në vitin 2013, qeveria shqiptare jepte ndihmë ekonomike për 110 mijë familje të varfra. Por në vetëm 5 vjet numri I familjeve që marrin ndihmë ekonomike është përgjysmuar në vetëm 50 mijë.

Kjo do të thotë se në 5 vitet e fundit qeveria ka hequr ndihmën ekonomike për plot 60 mijë familje ose rreth 220 mijë individë të varfër.

Kursim nga paratë e të varfërve

Sipas të dhënave zyrtare të buxhetit, në gjashtëmujorin e parë të vitit qeveria ka kursyer 654 milionë lekë ose mbi 5 milionë euro nga fondet e programuara të ndihmës ekonomike.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave ishin parashikuar për tu shpenzuar 9,9 miliardë lekë si ndihmë ekonomike për familjet në nevojë, por në fakt janë disbursuar 9,3 miliardë lekë.

Kjo shumë ishte 6,6% më e ulet se plani i periudhës dhe 3.3 për qind më e ulet se ndihma që u dha një vit më parë. Sipas shpjegimeve zyrtare ulja e shpenzimeve buxhetore në këtë zë erdhi për shkak të reformimit të skemës së ndihmës. Familjet dhe individët që përfitojnë ndihmën selektohen sipas nnjë formule të re pikëzimi, e cila hyri në fuqi këtë vit. Aplikimi i saj ngjalli debate, pasi shumë familje edhe pse në nevoja ekstreme u përjashtuan nga ndihma shtetërore.

BB pranon dështimin e skemës

Edhe pse qeveria justifikohet se sistemi i ri i ndihmës ekonomike është hartuar me Bankën Botërore, vetë institucioni prestigjoz pranon se zbatimi i tij ka rezultuar problematik duke nxjerrë pa të drejtë shumë familje të varfra nga ndihma.

“Ekipi i bankës po punon me klientin për të parë nëse ka mundësi që të përfshijë familje të varfra shtesë në program,” thuhet në një dokument të publikuar pak ditë më parë nga Banka Botërore. 

Aplikimi i sistemit të ri që përcakton se cilat familje përfitojnë ndihmë ekonomike është shndërruar në një makth të vërtetë për dhjetëra mijëra familje të varfra në rang vendi, të cilat janë nxjerrë pa të drejtë nga skema e mbështetjes. Është kjo arsyeja që pse Banka Botërore ka pranuar se pse zbatimi i sistemit të ri ka rezultuar problematik. Vetë Banka pohon se është ne negociata me qeverinë për të rishikuar edhe një herë programin, ndaj për këtë akordoi 11 milionë dollarë financime shtesë.