ARRSH konstaton: Në rrugët e vendit ka 8 ura të degraduara

Tetë ura në të gjithë vendin janë të degraduara dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente.

“Ura Leklit, Ura e Dragotit, Ura e Vorës, Ura e Tapizës, Ura e Zëmblakut, Ura e Kalulit, nyja në diznivel në Bushnesh, Ura lidhëse e Levan – Tepelenë dhe Dragot – Përmet. Këto janë urat që  ne këmi konstatuar që duhet të bëjmë ndërhyrje, por ura me problematikë më të madhe është ajo në Dragot, dhe ajo rrezikohet nëse nuk zbatohet sinjalistika në hyrje dhe dalje të kësaj ure”.

Drejtori i ARRSH, Afrim Qendro thotë se vendi nuk ndodhet në alarm për urat e ndërtuara dhjetëra vite më parë, por apeloi për ndërhyrje të menjëhershme në këto struktura.

“Nuk jemi në panik, as në emergjencë dhe as në alarm. Jemi në monitorim të vazhdueshëm”.

Brenda dy javësh pritet të finalizohet edhe kontrata më kompanitë fituese që do të bëjë bëjë projektin me të gjitha elementët teknikë për ndërhyrjet në këto ura.

“Është hapur një garë që është në proces final. Brenda dy javëve do kemi kontratën me kompaninë fituese që do bëjë projektin me të gjitha elementët teknikë që duhet të bëjmë ne ndërhyrje për urat sipas listës. Nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës, është duke u ngritur një grup pune për të bërë një inspektim të përgjithshëm të gjithë urave”.

Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, amortizimi i urave ka ardhur për disa shkaqe, ku më  problematike mbetet gërryerja e lumenjve si dhe mosrespektimi i peshës për kalimin në këto akse nga kompani të ndryshme.

“Gërryerja, pesha mbi aks, intensiteti i trafikut, mirëmbajtja, përmirësimi i fugave, largimi i ujit nga sipërfaqja e rrugës. Kemi problematikë në lumenjtë ku janë këto ura, kemi shfrytëzim jo të mirë, kemi gërryerje në këmbët e urës. Kompani të cilat nuk respektojnë peshën mbi aks, ato që shfrytëzojnë lumenjtë, kompanitë e naftës, kromit dhe ndërtimit”.

Alarmi u shtua pas ngjarjes tragjike në Genova të Italisë, ku nga shembja e urës Morandi humbën jetën 43 persona, mes tyre edhe dy shqiptarë. Përveç ndërhyrjeve teknike, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia Rrugore kanë nisur edhe një inspektim të sistemit të sinjalistikës vertikale dhe horizontale për tregimin e peshës së lejuar për kalimin e mjeteve mbi këto ura.