Deputeti i LDK-së: Fryrja e listave me veteranë të UÇK, skandali më i madh i pasluftës

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, ka folur për fryrjen e listave të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Avdyli ka thënë se procesi i verifikimit të veteranëve të UÇK-së ka degraduar në tersi dhe për këtë fajtorë janë komandantët e zonave.

“Mendoj se fryrja e listave të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është një ndër skandalet më të mëdha të pas luftës, ku përgjegjësit kryesor nuk janë ata të cilët e kanë marr këtë status në mënyrë të padrejtë, mirëpo janë ata të cilët e kanë mundësuar këtë, dhe këtu po dihen me emër dhe mbiemër. Këta persona të cilët duke e ditur se vet kanë qenë luftëtar, duke filluar prej Agim Çekut e të tjerë, dhe me vetëdije e kanë bërë, këta duhet të dënohen ashpër”, ka thënë Avdyli për Bota Sot.

Me tej, deputeti i LDK-së ka thënë se procesi i verifikimit duhet të përsëritet, ndërsa thekson se përgjegjësit për këtë skandal duhet të japin përgjegjësi.

“Ky proces mendoj se duhet të fillohet nga zeroja, pasi që ka degraduar. Të jenë 19 mijë veteranë pa luftuar, ky padyshim është skandali më i madh i pasluftës dhe ky është një degradim edhe i luftës tonë çlirimtare dhe mendoj se këta persona duhet të japin përgjegjësi në mënyrë që ky proces të pastrohet”, ka përfunduar për “Bota sot”, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli.

Kujtojmë se sipas kryeprokurorit të Shtetit, Akeksandër Lumezi, janë 19 mijë persona që jashtëligjshëm kanë fituar statusin e veteranit dhe marrin benefite nga shteti.