Ndizet Londra, Sarri dhe Emery gati për derbin e parë

Premier League uli siparin javën e kaluar, kur fituan thuajse të gjithë skuadrat e mëdha, përveç Arsenalit, që u dorëzua ndaj Manchester Cityt në “Emirates Stadium”, duke u mposhtur me rezultatin 0-2.

Java e dytë ka rezervuar një tjetër përballje të ashpër për “Topçinjtë” e drejtuar nga Unay Emery, pasi do të luajnë derbin e Londrës ndaj Chelseat në “Stamford Bridge”.

Blutë e Londrës drejtohen nga Sarri dhe që në javën e parë dhuruan një futboll të bukur dhe fitore bindëse 0-3 ndaj Huddersfieldit, por testi i të vërtetës është pikërisht sot ndaj Arsenalit.

Nga ana tjetër, Emery e di mirë se një humbje sot në derbi, do të kushtonte shumë, pasi do të rrëzonte moralin e skuadrës me dy humbje radhazi dhe do të vinte në dyshim ecurinë pozitive të sezonit.

Sfida mes Chelseat dhe Arsenalit do të startojë në orën 18. Më herët, në orën 16:00, në Londër do të luhet edhe sfida tjetër, ajo mes Tottenhamit dhe Fulhamit, ndërsa po për javën e dytë do të vijnë sfida si Everton-Southampton dhe Leicester-Wolves.