Vasili: Virusi vdekjeprurës po afrohet, shteti vazhdon pushimet!

Ish-ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili ka vënë alarmin për rrezikun që i kanoset qytetarëve shqiptarë nga virusi i Nilit, në kushtet kur vendet e rajonit po regjistrojnë të vdekurit e parë, pasi qeveria shqiptare ende nuk ka bërë asnjë paralajmërim për të marrë masat për t’u mbrojtur prej tij.

Në një shënim në rrjetet sociale, Vasili i ka drejtuar gishtin, kryeministrit Edi Rama, i cili, siç shprehet, ka gjetur kohën të dërgojë “videot psikopatike të radhës”, në një kohë kur shqiptarët do të duhet të përballen vetëm me këtë rrezik.

“Ethet e Nilit Perëndimor,-  shkruan Vasili, -  janë një emergjencë e shëndetit publik për shkak të rrezikshmërisë së tyre serioze për shëndetin. Prej etheve të Nilit ka pasur mjaft raste në Europë, por edhe në Ballkan ku nuk kanë munguar edhe vdekjet si në Greqi, Rumani, Kosovë, Serbi etj. Vetëm në Shqipëri askush nga shteti nuk flet. Shteti është me pushime!

Qytetarët nuk ka kush i këshillon e informon për shenjat e sëmundjes si dhe se si e ku mund ta marrin ndihmën e veçantë shëndetësore për këtë problematikë mjekësore të rëndë. 

E gjithe Europa është në alert. Qendra Europiane e Kontrollit të Semundjeve tërheq vëmendjen që rastet janë më të shumta se një vit më parë. Sëmundja transmetohet nga mushkonjat dhe gjendja e përhapjes së tyre në Shqipëri dihet që është e rëndë dhe dezinsektimi i filluar me zhurmë e buje nga qeveria u tret dhe u zhduk se koncesionet zhdukën çdo gjë të nevojshme në shëndetësi.

Qytetarët janë të rrezikuar dhe të pambrojtur nga shteti i tyre. Shteti që flet e flet pa u lodhur kur duhet të grabisë tokën e Teatrit Kombëtar, bile pati idiotër qeveritarë e bashkiakë, që folën edhe gjoja për sëmundjet e supozuara atje - për epideminë që merr jetë njerëzish s'thotë dot asnjë fjalë.

Shqiptarëve t’u rroje mjekra e Kryeministrit pa taksiratet duhet t’i heqin vetë. Presim edhe në këtë rast videon psikopatike të radhës të shkollëpakut dhe shpjegimin e trashë të tij se kështu ndodh edhe në vende të tjera...!!!"