Opozitar? Apo të vdesësh në gjumë dhe nga shpresat e rreme…

Duket se ka frikë të madhe në Fshatin shqiptar, nga superpushteti më i fundit i KM-së, në sistemin e drejtësisë, plus pushtetet e tjera, sidomos mbi mediat e vjetra dhe të reja, mbi repartet gri të terrenit dhe marrëdhëniet ende të mira me ndërkombëtarët.Krejt në disfavor duket pjesa e tjetër e politikës shqiptare, e rreshtuar kështu si është, në këto raporte forcash dhe me kriza të herëpashershme besimi.

Paraja, e madhja dhe e vogla, është përqëndruar në pak duar, dhe përmes sistemit para-monopolist që po themelohet në vend, kontrolli i resurseve financiare bëhet më i lehtë dhe përdoret më lehtësisht si një morsë shtrënguese ekonomike për kundërshtarët politikë dhe mbështetësit e tyre.

Dukshëm Opozita është në një krizë të thellë, sepse ka gabuar disa raunde rradhazi, me pasoja shumë të rënda, si në 17-18 majin e kaluar, ashtu edhe në pranimin e negociatave, për raste të veçanta, me sekserët Vip, në një llogjikë vetëmbrojtëse.

Çfarë po ndodh në të vërtetë përtej zhurmës dhe llafeve?
Një luftë underground e KM-së dhe kupolës së tij, ndaj të gjithë personazheve “radikalë”, që gjenden në Opozitë apo përreth saj, dhe nga ana tjetër, një joshje për ata, që duan të vazhdojnë karrierat ekonomiko-politike, nën një flamur tjetër, mjafton të jenë në tavë.
Porse fabrika e gënjeshtrave tinzare të KM-së, që është në superprodhim, e përkëdhel depresionin opozitar, me premtime dhe shpresa të rreme, që lidhen me mosprekjen e familjeve të kamura të politikanëve opozitarë.
Duke dominuar mediat, tanimë askush nuk merret me shpenzimet marramëndëse të qeveritarëve, të pronave apo aferave të tyre shumëmilionëshe, porse bateritë janë drejtuar nga Opozita dhe qeverisja e saj “mëkatare” e dikurshme.

Enver Hoxha e mbajti këtë popull, 45 vjet me propagandën e legjendave apo të vërtetat e abuzimeve të ish Mbretit Zog. Propaganda e Re, e sofistikuar si koha që jetojmë, po bën të njëjtën gjë në lidhje me Opozitën e sotme, dje ne pushtet.
Dhe kjo ka evidentuar një trembje reale në radhët e saj, sepse gjendet e rrethuar, tashmë nga të gjitha anët, aq më tepër me një sistem drejtësie të trembur dhe të nënshtruar edhe ay, që rri me sytë nga kupola e KM-së dhe nga gijotina e Vettingut.

Çfarë do të bëjë në vijim kjo Opozitë?
Deri më tash, po vepron ashtu si nuk duhet, priret të besojë atë që ka dëshirë, pavarësisht, se ajo që ka dëshirë, nuk përputhet aspak me realitetin.
Bërtet e shan ditën dhe pranon negociata e sekserët Vip natën.
Me shpresa dhe iluzione të rreme se do të mundet të bëjë një paqe të pjesshme dhe të nëndheshme me KM-në, me kaq shumë pushtete dhe asete.

Çfarë pritet të ndodhë si pasojë e kësaj strategjie pa strategji?
Rrezikojnë “të vriten në gjumë”, një e nga një dhe rrezikojnë të bëhen dëshmimtarë të rremë, të reformës së rreme në drejtësi.
Dhe do të valëviten për ca vite, kokat e tyre të prera politikisht, në hunjtë e pankartat e Shqipërisë së re dhe të rilindur, me korrupsion të nënshtruar.
Në të vërtetë një liçensë, për ta 10 fishuar grabitjen, ndërkohë që turmat do të gëzohen përrteth gijotinave dhe stinës së kokëprerjeve që po afron…