A janë në dijeni dhe çfarë duhet të bëjnë SHBA dhe Brukseli për planin, Vuçiç-Rama-Thaçi

Në analizën e tij për, “Washington Post”, ish ministri Jashtëm i Suedisë dhe njohësi i mirë i rajonit tonë, Carl Bildt, mes të tjerave analizon edhe pozicionin e Washingtonit dhe Brukselit, në gjithë këtë situatë që është krijuar pas shpalljes së planit nga ana e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për shkëmbim territoresh mes dy vendeve.

Sipas diplomatit të njohur ka disa zëra edhe në Washington dhe në Bruksel, të cilët thonë se përse duhet të kemi kundërshtim, nëse liderët e dy vendeve  bien dakord për këtë gjë. Por më tej Bildt shton, se qëndrime të tilla janë të rrezikshme dhe shton, se e gjithë vëmendja duhet ti kushtohet nxitjes së stabilitetit dhe jo “të ftosh destabilitetin, për dekadat e ardhshme”.

“Ka nga ata në Bruksel dhe Uashington që mund të thonë se nëse liderët në rajon bien dakord për një shkëmbim territori mes Serbisë dhe Kosovës, pse duhet të kemi ndonjë kundërshtim? Sidomos nëse përfshihet krijimi i marrëdhënieve të plota diplomatike? Por një qëndrim i tillë është i rrezikshëm. Në një kohë kur e gjithë vëmendja duhet t'i kushtohet nxitjes së stabilitetit, të kalosh në anën tjetër të kësaj  çështje do të thotë “të ftosh” destabilitetin për dekadat e ardhshme.

Pa dyshim, duhet të gjendet një kompromis midis Beogradit dhe Prishtinës, për të çuar më tej ambiciet e integrimit evropian dhe atlantik të të dy vendeve. Kjo mund të përfshijë një shkallë më të madhe të decentralizimit për pjesët serbe të Kosovës dhe mund të nënkuptojë pranimin e Kosovës edhe në Kombet e Bashkuara. Ka më shumë se pesë vjet që nga BE ndërmjetësoi një marrëveshje që tregon rrugën drejt marrëdhënieve normale mes dy vendeve, por që atëherë, përpjekjet diplomatike të BE dhe  SHBA janë venitur. Si rrjedhojë, prirja për ndarje është kthyer në rajon, i cili tashmë është ballkanizuar shumë.

Kjo është e rrezikshme, dhe Uashingtoni dhe Brukseli duhet të zgjohen ndaj rreziqeve. Integrimi gradual për Serbinë dhe Shqipërinë në BE dhe NATO, e gjitha në bazë të kufijve ekzistues, është e vetmja rrugë drejt stabilitetit të qëndrueshëm në rajon. Luajtja me kufijtë dhe ndarjet në Ballkan ishte e rrezikshme në fillim të viteve 1990 dhe mbetet kështu edhe tani”, analizon ish-ministri i jashtëm i Suedisë qëndrimin e Washingtonit dhe Brukselit, në këtë situatë.