Vritet shkencëtari sirian, Izraeli e përshëndet sulmin

Ministri izraelit i inteligjencës thotë se ai "mirëpret" lajmin se një shkencëtar sirian u vra nga një makinë bombë, ndërkohë që Tel Avivi mohon ndonjë pjesëmarrje në vrasje. "New York Times" raportoi se Mossad i Izraelit ishte pas sulmit.

Ministri i Inteligjencës dhe i Transportit, Yisrael Katz vlerësoi akuzat se agjentët izraelit të Mosadit vranë Dr. Aziz Asbar pranë qytetit Masyaf, në Sirinë Veri-perëndimore, duke komentuar se "duke supozuar se [Asbar] ishte me të vërtetë i përfshirë në veprimtarinë terroriste, unë e mirëpres largimin e tij nga bota".

Asbari, drejtori i studimit në Qendrën Kërkimore dhe Shkencore të Sirisë, besohet të jetë përfshirë në zhvillimin e një strukture të fshehtë për prodhimin e armëve me ndihmën e Iranit, e cila do të përdorej për të prodhuar raketa me precizion në Siri. Ai u vra të shtunën nga një pajisje shpërthyese e vendosur në makinën e tij.

Izraeli ka qenë i rezervuar në deklaratat e tij për vrasjen e shkencëtarit.

"Çdo ditë në Lindjen e Mesme ka qindra shpërthime dhe vendosje të eksplozivëve. Çdo herë, ata përpiqen ta vënë fajin mbi ne. Pra, ne nuk do ta marrim këtë shumë seriozisht", tha ministri i Mbrojtjes Avigdor Lieberman.