Ndryshime të rëndësishme në Serie A, VAR-i do shihet edhe nga tifozët

Përdorimi i sistemit “VAR” në futboll, ka reduktuar shumë pakënaqësitë e trajnerëve dhe skuadrave në lidhje me vendimet e gjyqtarëve si në Serinë A e Bundesligë në sezonin e kaluar, ashtu edhe në Kupën e Botës që u luajt këtë verë në Rusi.

Në sezonin e ri që pritet të fillojë pak ditë më vonë, VAR-i mund të ketë një përdorim më të gjerë, duke qenë se edhe kampionati spanjoll po e mendon dhe gjatë miqësoreve të skuadrave spanjolle, është praktikuar.

Nëse sezonin e kaluar ishin vetëm gjyqtari dhe ndihmësit e tij ata të cilët mund të kontrollonin pamjet e sistemit VAR, ndërsa këtë vit do të jetë më ndryshe.

Në Itali, do të kenë mundësi edhe tifozët të shohin rastet e dyshimta në ekranet e stadiumit dhe këtë do ta bëjnë vetëm pasi gjyqtari të ketë marrë një vendim në lidhje me raste të caktuara.

Kjo praktikë u përdor këtë vit edhe në Kupën e Botës ku në disa ndeshje, tifozët kishin mundësi të shihnin pamjet e sistemit “VAR”.