Rusia përjashton diplomatët grek

Zyrtarët rusë kanë biseduar me ambasadorin e Greqisë për ta njoftuar atë se Moska do të veprojë në të njëjtën mënyrë sikur që Athina veproi ditë më parë duke dëbuar diplomatët e tyre.
Megjithëse kanë njoftuar se do të dëbojnë diplomatët grekë, vendimin e Greqisë e kanë quajtur jomiqësor.

Ministria e Jashtme e Rusisë ka deklaruar se kishte thirrur ambasadorin grek, Andreas Friganas, dhe i kishte dhënë një notë diplomatike duke e informuar atë “për masat e marra nga pala ruse”.

Në deklaratë nuk bëhen të ditura detajet se cilët diplomatë grekë do të dëbohen dhe kur u ishte kërkuar atyre që të largohen.

Greqia ka njoftuar se në korrik kishte dëbuar dy diplomatë rusë dhe u kishte ndaluar dy personave të tjerë që të hyjnë në vend pasi që ata ishin munduar t’i korruptojnë zyrtarët me qëllim të nxitjes së demonstratave për të penguar procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO.

Ministria e Jashtme e Rusisë e quajti veprimin e Greqisë të pajustifikuar dhe paralajmëroi për pasoja të paspecifikuara.

Ndërsa Greqia i kishte kërkuar Moskës që të mos ndërhyj në punët e brendshme të një vendi të huaj.