Krimi në Fier/ Burri pranon: E zhvesha gruan, e rraha dhe e hodha nga dritarja

Fredi Ruko nga Fieri ka pranuar përpara hetuesve se hodhi gruan nga dritarja pas një sherri që pati me të.

“Dyshoja tek gruaja ime, u zumë dhe debatuam ashpër. E futa në banjë, e zhvesha, e rraha dhe pastaj e hodha nga dritarja”, ka thënë në komisariatin e policisë 52-vjeçari, i cili hodhi nga dritarja e banjës bashkëshorten e tij Liljana Ruko.

Ngjarja ndodhi sot rreth orës 16:00 në lagjen “Kryengritja e Fierit”, ku banorët dëgjuan të bërtitura nga banesa e çiftit Ruko dhe më pas panë që 43-vjeçarja të binte nga dritarja pasi e hodhi burri.

Mamaja e dy fëmijëve ndërroi jetë rrugës për në spital. Çifti ishte kthyer nga Gjermania kohët e fundit, ku kishte jetuar. Burri pranoi gjithashtu se edhe në Gjermani ka patur probleme me bashkëshorten e tij.

Fredi Ruko do të dalë përpara Gjykatës së Fierit ditën e hënë.