Marinari Meta

Ilir Metës përfundimisht as nuk i skuqet faqja, kur nga njëra anë josh me lugë bosh qytetarët shqiptarë, nga ana tjetër mendon dhe vepron vetëm në interes të partisë së tij që mesa duket qenka krijuar vetëm për të qenë në pushtet. Sot ai u tall sërish, live  me një retorikë sofiste.

Jo me ata mijëra në sallën e Pallatit të Sportit që e duartrokisnin frenetikisht, jo. Nëse të gjithë ata që ishin aty i merr dhe i pyet një nga një, se si i kanë hallet e punësimit apo të tjerat, është e sigurt se të gjithë pa përjashtim do të përgjigjeshin: më mirë nuk bëhet, por tani të shohim edhe për këto 4 vitet e tjera. Le që s`ke pse i pyet fare, sepse përgjigjen mund ta merrje fare lehtë nga kostumet e tyre luksoze dhe fytyrat e zbardhura nga kondicionimi, e të vetëkënaqura nga mirëqenia; produkt i 8 viteve nëpër zyra e poste të mira.

Kush e dëgjoi me vëmendje fjalimin e Ilir Metës në këtë konventë madhështore, patjetër që është ndier siç ka qejf ai të cilësojë jetën e një politikani,herë si një marinar në det të trazuar, e herë në det të paqtë. Brenda të njëjtit fjalim, ai u shfaq si ai kapiteni që e ka anijen mes dallgëve dhe do të bëjë çdo gjë për ta shpëtuar dhe çuar sa më larg në oaze të qeta. Kjo ishte pjesa kur fliste sikur LSI-ja është në opozitë dhe jo prej 8 vitesh në pushtet, pra protagoniste e atyre furtunave e cunameve ku gjendet vendi.

 “Ka shumë shqiptare jashtë kësaj salle, (dhe brenda saj?!) që nuk ia dalin dot të mbyllin muajin, kanë vështirësi të mbajnë fëmijët në shkollë dhe të plotësojnë nevojat e përditshme bazike për familjet e tyre. Jemi këtu që të kërkojmë një rrugë zgjidhje te potencialet e panumërta të Shqipërisë dhe shqiptarëve që politika nuk i ka shfrytëzuar. Shurdhësia dhe indiferenca janë ushqimi kryesor i pesimizmit, dhe arsyeja kryesore që ky vend nuk është aty ku duhet të ishte. Ne do kërkojmë atë që të gjithë e pranojmë, nëj shans për të gjithë për të ndryshuar veten, për tu dëgjuar e përfshirë për një Shqipëri më të begatë”, tha pa ju dridhur qerpiku se mund të habiste njeri Ilir Meta. Çfarë të bësh më parë, të qash apo të zgërdhihesh?

E lëshon karremin për ca vota, që më shumë i duhen për të mbajtur gjallë pazarin me Ramën dhe Bashën, sikur është në opozitë dhe bashkëvuajtës i atyre që nuk “mbyllin dot muajin”. Po se çfarë përgjegjësie ka partia e tij që vendi është katandisur në këtë gjendje, nuk ka rëndësi, përderisa këtu rrota e historisë është bërë njësoj si ajo e ruletës, që e kap zarin vetëm te e kuqja LSI.

Foli Ilir Meta si Lulëzim Basha, bash nga bashi i anijes ku lundron opozita; për varfëri, oligarkë dhe  kriminelë në parlament; denoncoi plehrat tona që nuk menaxhojmë dhe kërkojmë të importojmë të tjera; vazhdoi me kanabisin për të kaluar te politika e jashtme dritëshkurtër e Ramës duke thënë, se jemi ne që kemi nevojë për Europën dhe jo ajo për ne, por…

Si një magjistar i vërtetë, marinari i dallgëve shndërrohet dhe hidhet direkt në një anije që lundron në det të qetë. Sepse votat nuk merren vetëm duke kritikuar realitetin, por edhe duke marrë gradat e arritjeve. Anijet dhe detrat janë krejtësisht të ndryshëm; Metë-marinari është gjithmonë i njëjti.

“Kemi dhënë një kontribut të rëndësishëm në këtë qeverisje. Kemi qenë besnik në koalicionet e bëra, ashtu si dhe me PS-në tani. Politikat e njëanëshme krijojnë konflikte të panevojshme jo vetëm brenda koalicionit, por dhe në grupet e interesit. Besoj se koalicioni jonë ka ende rrugë për të bërë”, tha Meta këtë herë i rehatuar në anijen e Ramës, që lundron në ujërat e ëmbla dhe të qeta të pushtetit.

Çfarë të thuash tjetër për marinarin Meta përveçse: Bravo i qoftë?!

SYRI.net