Tragjedi në bregdetin e Malit të Zi, humb jetën një person

Një jaht dhe një anije me vela janë përplasur në një aksident detar i cili ndodhi sot në gjirin e Bokës së Kotorit, afër Lushticës. Sipas informatave jozyrtare të portalit CdM, një person ka vdekur dhe disa janë lënduar.

Siç ka thënë për CdM drejtori i Drejtorisë për Siguri Detare, Safet Koçan, aksidenti ka ardhur pasi një jaht motorik është përplasur me një anije me vela.

“Aksioni i shpëtimit të të lënduarve është në vazhdim. Është angazhuar edhe një helikopter”, ka thënë shkurt për CdM Koçan.

“Vijesti” shkruan se aksidenti ka ndodhur rreth tetë milje në juglindje të gjirit Oblatna në Trashta, rreth orës 12. Gazeta pretendon se në vendin e ngjarjes janë dërguar anijet e Drejtorisë për Siguri Detare SAR-1 dhe SAR-2, ndërsa në aksion është përfshirë edhe një helikopter i MBP-së, si dhe Shërbimi i Mbrojtjes dhe Shpëtimit i Komunës së Tivatit, pjesëtarët e të cilës janë rrugës për në vendin e aksidentit.

Ky është aksident i dytë për këtë javë në det. Javën e kaluar në Ulqin kanë vdekur nëna me të birin, shtetas slloven, kur “banania” e cila ishte e lidhur me një skuter, e në të cilën ishte e tërë familja, ka goditur një anije e cila transportonte turistë. Vajza dhe babai janë lënduar rëndë në këtë aksident.