Azerët i krijojnë probleme Kukësit, skuadra udhëton e ndarë në dy pjesë

Mëngjesin e sotëm, një pjesë e skuadrës së Kukësit ka fluturuar drejt Azerbajxhanit, aty ku do të luajë ndeshjen e kthimit ndaj kampionëve të Qarabagut, në kuadër të turit të dytë eliminator në Ligën e Kampionëve.

Në fakt, mund të duket e çuditshme, po nuk ka fluturuar ekipi i plotë drejt Azerbajxhanit, megjithëse Kukësin e pret një ndeshje e vështirë.

Sipas “VIP Sport”, një pjesë e lojtarëve do të ikin më vonë, duke qenë se pala azere nuk i ka miratuar aplikimet për të fluturuar në të njëjtën kohë dhe ka pasur disa ndarje mes skuadrës.

Ndeshja e parë e luajtur në Shkodër, u mbyll në barazim pa gola, ndërkohë që në transfertë, Kukësi do të synojë që të marrë një rezultat pozitiv për të kaluar për herë të parë në turin e tretë eliminator të Ligës së Kampionëve.

Ekipi është akomoduar në një nga hotelet e kryeqytetit azer, në Baku dhe pasdite do të kryejë një stërvitje ndërkohë që nesër do të mbyllen përgatitjet.

Të mërkurën, skuadrat do të zbresin në fushë për të luajtur kartat e fundit pasi gjithçka është e hapur për sa i përket kualifikimit.