Cungu përgatit çdo detaj për ndeshjen e kthimit me Qarabagun... edhe penalltitë

Janë edhe 90 minutat e kthimit për të provuar kualifikimin. Një ndeshje për të shkruar një tjetër histori suksesi.

Misioni i Kukësit në Baku përballë Qarabagut nuk është i thjeshtë, por barazimi 0-0 në ndeshjen e parë i jep shanse.

Armando Cungu nuk fshihet, duke pranuar se ekipi i tij do ta provojë të përmbysë të gjitha parashikimet, të martën në Azerbajxhan.

“Për aq kohë sa rezultati është 0-0 të jep shpresë për kualifikim. E rëndësishme është që ekipi të luajë me dëshirën dhe karakterin e ndeshjes së parë. Tani pse jo mos ta provojmë. Lojtarët nuk i dhanë mundësi këtij kundërshtari të na godiste”, thekson tekniku i verilindorëve.

Fjalëkalimi është kujdesi maksimal. Ashtu si në Shkodër, nuk duhet pësuar gol, ndërsa ndryshe nga ndeshja në “Loro Boriçi” kërkohet që sulmuesit të jenë të qetë në finalizimin e aksioneve.

“Vetë rezultati të jep mundësinë dhe na kërkon të jemi të kujdesshëm. Nuk duhet të nervozohemi në momentin e finalizimit”, shton shkodrani.

Në sfidat me eliminim direkt dhe pasi ndeshja e parë ka përfunduar në barazim pa gola, është mëse normale të mendohet edhe për penalltitë.

Te Kukësi nuk duan t’i lënë asgjë rastësisë, me Cungun që beson se presioni është te Qarabagu.

“Patjetër që po përgatitemi për çdo gjë. Presioni është te kundërshtarët”, përfundoi trajneri i Kukësit, Armando Cungu.