E fiksuar pas brazilianëve, Barça ka shpenzuar 543 milionë euro! Emrat...

Barcelona ka pasur gjithmonë një raport të mirë me brazilianët. Shumë nga lojtarët më të mirë të historisë së “Seleçaos” kanë kaluar nga Katalonja. Yje, talente, por edhe të panjohur që mund të bëheshin lojtarë të mirë. Në “Kamp Nou” kanë shkelur shumë të tillë dhe të gjithë në total i kanë kushtuar Barcelonës 543 milionë euro. Dhe Barcelona e humbet kuptimin e saj, pa pasur në skuadër një brazilian.

Që nga transferimi i Romarios në vitin 1993, është vështirë të mendosh që Barcelona të mos ketë një “verdhejeshil” në ekip. Legjenda të këtij futbolli kanë veshur fanellën blaugranë si RomarioRonaldo-Rivaldo dhe Nejmar. Këta mite të futbollit amerikanojugor janë shoqëruar nga lojtarë të tjerë të mëdhenj dhe shumë të rëndësishëm si Xhovani, Soni Anderson, Edmilson dhe Dani Alvesh. Kombinimi i yjeve të mëdhenj që shkëlqenin me lojtarët e tjerë të nivelit të parë është një karakteristikë e përhershme e Barcelonës moderne dhe në fakt nuk ka qenë ide e keqe.

Mirë ata, por në “Kamp Nou” kanë shkelur edhe lojtarë që mbahen mend vetëm për transferimin e tyre te Barcelona dhe nuk kanë lënë gjurmë. Në këtë listë janë Rokermbak, Geovani, Henrike, Keirrison apo Duglas, shkruan Panorama. 

Tradita vazhdon edhe në vitin e fundit, sepse Ernesto Valverde do të ketë në ekipin e tij disa brazilianë. Madje, ata që janë afruar së fundmi. Kutinjo u transferua në merkaton e janarit nga Liverpuli, ndërsa Artur Melo dhe Malkom janë të fundit. Të tre shumë të shtrenjtë. Vetëm për ata, katalanasit shpenzuan 192 milionë euro.