Igli Tare bën biznes të shkëlqyer në favor të Lazios

Goditje e dyfishtë e Igli Tares. Drejtori sportiv i bardhekaltërve ka mbyllur dy marrëveshje brenda një dite.

Tare ka arritur akordin me Sevillan për argjentinasin Joaquin Correa, kartoni i të cilit i ka kushtuar Lazios 16 milionë euro.

Ish-lojtari i  Sampdorias shihet si zëvendësuesi ideal i Felipe Anderson te bardhekaltrit.

Të hënën Correa do të jetë në Romë ndërsa një ditë më pas do të kryejë vizitat mjekësore dhe të firmosë kontratën 5-vjeçare me Lazion nga e cila do të përfitojë 1,5 milionë euro në sezon.

Por të hënën në Formello do të zbarkojë edhe Milan Badelj. Mesfushori kroat i cili ishte pjesë e përfaqësueses ballkanase në Kupën e Botës edhe pse ishte shumë pranë Milanit dhe Napolit në fund ka zgjedhur bardhekaltrit falë këmbënguljes së Igli Tares.

Një biznes i shkëlqyer ky i drejtuesit shqiptar, pasi Badelj afrohet te Lazio me parametër zero pasi i përfundoi kontrata me Fiorentinën në fund të sezonit të kaluar.

Kroati do të firmosë për 4 vite me skuadrën e Simone Inzaghit dhe do të përfitojë 1,5 milionë euro në sezon.

Pas dy lojtarëve me orgjinë shqiptare Riza Durmishi e Valon Berisha dhe mbrojtësit Acerbi, Tare bën dy goditje të tjera në merkato shumë të rëndësishme për klubin bardhekaltër.