VIDEO/ Zbulohen pamjet, ja momenti kur autori vendos tritol në banesën e Gazmir Dacit

Sigurohen pamjet nga momenti kur një person ende i paidentifikuar ka vendosur tritolin në banesën e Gazmir Dacit. Në pamjet filmike shihet se si një person, i veshur me bluzë me kapuç, largohet me vrap nga banesa e Dacit, i cili vuan dënimin për vrasjen e Valmir Kolaverit dhe plagosjen e vëllait të tij, Robertit.

Shënon pikërisht ora 01: 31, kur kamera fikson momentin, ndërsa pak metra më tutje, autorin e pret një automjet, i cili largohet menjëherë nga vendi i ngjarjes. Siç raportoi edhe më herët News24 nga vendi i ngjarjes, banesa e familjes Daçi ishte e pajisur me kamera sigurie, kjo edhe për shkak të konflikteve të hershme me familjen Kolaveri.

Ndërkohë, pamjet e kamerave të sigurisë u sekuestruan edhe nga policia, ndërsa shërbejnë si provë për të çuar në identifikimin e autorëve të ngjarjes. Në një lidhje telefonike për ‘News24’, babai i Gazmirit, pohoi se i njihte autorët, ndërsa akuzoi publikisht se pas ngjarjes fshihet familja Kolaveri. Po ashtu ai paralajmëroi se nëse shteti nuk ndërhyn të zbardhë ngjarjen, do të bëjë vetëgjyqësi.