Ambasadori i Italisë, Cutillo: Droga e Shqipërisë vazhdon të jetë kërcënim serioz për ne dhe BE-në

Ambasadori italian në Shqipëri, Alberto Cutillo, në një intervistë për gazetën “Shekulli” ka konfirmuar se pavarësisht nga propaganda e qeverisë Rama, trafikimi i drogës nga vendi ynë drejt Italisë mbetet një kërcënim serioz për këtë vend, por edhe për anëtarët e tjerë të BE-së. Sipas Cuttillo, duke ditur se në çfarë niveli është krimi i organizuar në Shqipëri, vendi i tij ka shtuar vit pas viti prezencën e organeve të specializuara në vendin tonë.  

“Qeveria italiane i kushton vëmendje të veçantë çështjeve që kanë të bëjnë me krimin e organizuar në Shqipëri dhe trafikimin e drogës midis vendeve tona. Kanabisi, së bashku me narkotikë të tjerë dhe me kontrabandën e mallrave të paligjshme përmes Shqipërisë, mbetet një kërcënim serioz për Italinë dhe shtetet e tjera anëtare të BE-së. Për këtë arsye Italia është shumë aktive në luftën kundër trafikimit dhe në përgjithësi kundër krimit të organizuar: kemi filluar të ndihmojmë dhe të mbështesim Republikën e Shqipërisë që nga viti 1991 – dhe sot ne mund të mbështetemi në shumë instrumente dypalëshe (marrëveshje, protokolle dhe memorandume), mbi çështjet e sigurisë dhe bashkëpunimit policor – gjithnjë me qëllimin për t’i çuar më tej përpjekjet e përbashkëta në luftën ndaj krimit të organizuar”, ka deklaruar Cottillo.