Zjarrfikësi me foshnjen e djegur në krah, zbulohet e vërteta e fotos tronditëse e lidhur me tragjedinë në Greqi

Fotografia tronditëse e një zjarrfikësi me një foshnje të përzhitur nga zjarri në krahë ka shërbyer dy ditët e fundit për të ilustruar tragjedinë që ka ndodhur në Mati, në Greqi. Por, ajo fotografi i përket vitit 1988, kur një zjarrfikës në Saint Louis, SHBA, përpiqej t’i jepte frymë foshnjes 2-vjeçare. Kjo foto madje ka fituar çmimin Pulitzer dhe është bërë nga Ron Olshwanger.

Vetë Olshwanger që e ka shkrepur këtë moment, vdiq në 29 prill 2018 në moshën 81-vjeçare.

Më 30 dhjetor 1988 ai ishte me kamera në dorë kur një zjarrfikës i Saint Louis, Adam Long, doli nga një ndërtesë që po digjej në Central West End me trupin e brishtë të Patricia Pettus në krahun e tij të djathtë.

Kamera e fotografit kapi momentin kur Long po përpiqet ta ringjallte foshnjen. Atë ditë ajo kishte ditëlindjen, mbushte 2 vjeçe. Gjashtë ditë pas zjarrit, Patricia vdiq në spital.

Pranverën tjetër, fotografi Olshwanger iu dha çmimi prestigjioz për fotografinë më të mirë të lajmeve në vend dhe medalja e nderit. Ai vetë është shprehur se Patricia nuk vdiq më kot, pasi fotografia e saj frymëzoi njerëzit për të blerë dedektorë tymi.

Olshwanger ishte drejtor në Qarkun e Mbrojtjes së Zjarrit të Coeur Creve për disa vite. Gruaja e tij, Sally, vdiq nga kanceri në vitin 1991. Djali i tyre, Steve Olshëanger, është shefi i zjarrfikësve në Maryland Heights./SYRI.NET