VIDEO-FOTO/ Zhduket fshati, 1000 shtëpi të djegura. Pamje apokaliptike

Zjarri i të hënës në rajonin e Atticas, të Athinës, është më vdekjeprurësi në vend në më shumë se një dekadë.

74 është numri i viktimave deri në këto momente, numër i cili sipas autoriteteve pritet të rritet. Të lënduarit janë mbi 187, 23 prej të cilëve fëmijë.

Të mëdha janë edhe dëmet materiale.

Më shumë se 1000 shtëpi të djegura e më qindra automjete të shkrumbuara.

Pamjet janë vërtetë apokaliptike.

‘Mati nuk ekziston më. Pashë kufoma dhe makina të djegura. Ndihem shumë me fat që jam gjallë!’, tha një dëshmitare për televizionin grek ‘Skai TV’, ndërsa një tjetër u shpreh:

‘Fatmirësisht kishim detin pranë dhe u futëm brenda tij, pasi flakët po na ndiqnin deri në ujë. Na dogji shpinën, ndaj dhe u zhytëm në ujë. Thashë: ‘O Zot, duhet të vrapojmë për të shpëtuar veten!’.

Zjarri që mori përmasa katastrofike nisi pasditen e së hënës në Mati, një fshat i cili ndodhet rreth 40 kilometra në verilindje të Athinës.

Të dëshpëruar për të shpëtuar nga flakët banorët u përpoqën të futeshin në det, por shumë e gjetën veten të bllokuar nga muret e përfshira nga flakët dhe tymi.

Të tjerë vdiqën brenda ndërtesave e në makina.

Agjencia franceze e lajmeve AFP, duke cituar një zyrtar grek, shkruan se dyshimet janë që zjarri të ketë qenë i qëllimshëm.