Shpërthen presidenti i Anorthosis, reagon ndaj akuzave për trukimin e ndeshjes me Laçin

Pas dyshimeve për Laçi-Anorthosis 1-0, mediat qipriote kanë kontaktuar me presidentin e klubit nga Famagusta, Andreas Pandelis.

Ky i fundit mohoi kategorikisht përfshirjen e klubit të tij në korrupsion, ndërsa i cilësoi si qesharake parashikimet që bëhen nga individë, të cilët sipas tij nuk mbajnë asnjë përgjegjësi.

“Kjo është diçka që nuk ia vlen të merresh. Më duket e padenjë për të komentuar një parashikim që dikush e ka bërë në rrjetet sociale para ndeshjes. Megjithatë, më vjen, sepse ne kemi për të mbrojtur veten ndaj këtyre raporteve të tilla qesharake. Janë shpifje të ulëta.

Mendoj se është e çuditshme që dikush mund të shkruaj çfarë dëshiron dhe të mos jenë të përgjegjshëm. Ne u eliminuam në fushë dhe ju e dini se çfarë dështimi ishte për ne”, deklaroi për “kerkida.net” presidenti i klubit qipriot.