Trump: Nuk bëra asnjë lëshim gjatë takimit me Putin

Presidenti Donald Trump tha të hënën se ai "nuk i dha asgjë" presidentit rus Vladimir Putin në samitin e javës së shkuar në Helsinki.

"Ne folëm thjesht rreth përfitimeve të ardhshme për të dy vendet," tha zoti Trump në Twitter. "Gjithashtu, ne komunikuam shumë mirë, diçka që është e mirë, por këtë nuk e thotë Media e Korruptuar!"

Ai fajësoi mediat kryesore të lajmeve, duke i quajtur përsëri “lajme të rreme” pasi siç tha ai, “ato folën negativisht" për takimin e tij me zotin Putin.

Megjithatë, hollësitë e takimit kokë më kokë mbeten të paqarta.

PresidentëtTrump dhe Putin u takuan me dyer të mbyllura për më shumë se dy orë në prani vetëm të përkthyesve. Presidenti Trump ka thënë në disa raste se ata folën për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, ndalimin e terrorizmit global, sigurinë për Izraelin, nevojën për të frenuar një garë armësh bërthamore midis vendeve të tyre, aneksimin nga Moska të Krimesë në vitin 2014, sulmet kibernetike, tregtinë, paqen në Lindjen e Mesme, armët bërthamore të Koresë së Veriut dhe tema të tjera.

Por hollësitë e asaj që dy presidentët mund të kenë vendosur në takimin e tyre nuk janë publikuar.