Pakult reagon për herë të parë për ‘divorcin’ me Kukësin: Situatë fatkeqe në Shqipëri

Peter Pakult u largua nga Kukësi pas aventurës gjashtë mujore me skuadrën shqiptare.

Debati me presidentin Gjici, pas barazimit 0-0 në shtëpi ndaj maltezëve të Vallettës dhe pretendimet e larta financiare sollën “divorcin” mes palëve.

Në një prononcim për “LAOLA1” tekniku austriak e pranon se ka mbetur i zhgënjyer pas largimit.

Pakult tregon se nuk ishte arsyeja financiare problemi që solli “divorcin”, por nuk ka dhënë më tepër detaje rreth kësaj gjëje.

“Për fat të keq tani unë jam kthyer në treg. Në Shqipëri ishte një situatë fatkeqe, por tani ka marrë fund gjithçka. Unë nuk shoh mbrapa, jeta vazhdon, një derë mbyllet, një tjetër hapet.

Unë kisha dy oferta të tjera por u thashë se do të qëndroja me klubin ku kisha punuar shumë për 6 muaj që të ishin përsëri të suksesshëm. Dhe kjo është ajo që bëra me ekipin, dëshiroja që të paraqitesha shumë mirë atje.

Atje funksionojnë ligje të tjera, nuk mund ta krahasosh me Austrinë, Gjermaninë apo shtete të tjera.

Mendoj se kam treguar gjatë punës time si trajner se mund të punoj në rajone të ndryshme, por padyshim që do të isha i lumtur të punoja në Austri përsëri, siç e kam thënë shpesh. Padyshim, është e vështirë për njerëzit të mendojnë që një trajner i cili ka qenë të Rapidi të kalojë në klube të tjera. Por unë ndjej kënaqësi nga ky profesion dhe shpresoj që të shfaqet ndonjë mundësi tani”, u shpreh Pakult në prononcimin e tij për median austriake.