‘Ruçi ka qenë i burgosuri i vërtetë’-Iriqi bisedon me Pjetër Arbnorin

Iriqi: - Të erdhi keq që në përurimin e bustit tënd erdhi dhe Ruçi?

Arbnori: - Mua më vjen shumë keq për Ruçin.

Iriqi: - Pse?

Arbnori: - Se Ruçi është i burgosuri më i madh i këtij vendi. I burgosur nga Enveri, nga Ramizi, nga Nano, nga Rama. Ka një jetë që nuk thotë kurrë mendimin e tij. Flet veç frazat e shefave. Nëqoftëse ndonjë ditë do i bënin një bust më shumë i shkon një qen. Vetëm ka lehur krejt kohës. Më dhimbet se asnjëherë nuk jetoi veten, jetoi shefin e radhës.

Iriqi: - Si t’u duk busti?

Arbnori: - Deri sa as gruaja nuk më njohu them se ka vlera artistike. Më kujton skeçin e Tanos kur burri nuk po shihte gruan në foto. Po kur nuk e gjen ti, unë do ta gjej, i tha fotografi. Edhe skulptori nuk ka faj. Mbaj unë përgjegjësi që nuk i ngjaj.

Iriqi: - U mërzite dmth?

Arbnori: - Jo, u gëzova shumë.

Iriqi: - Pse?

Arbnori: - Ngaqë nuk erdhi atë ditë bashkë me Ruçin djali i Sulë Bushatit, kriminelit tim. Që sot e ka bërë populli ministër të Jashtëm. Që kur më njoftuan se do inaugurohej busti atje e kisha sikletin. Se këta janë specialista. Të vret i ati e të qan i biri. Po shyqyr që po merret me shitjen e atdheut e nuk gjeti kohë. Shpëtova se do isha rivrarë.

Iriqi: - Ju ikët shpejt nga kjo jetë. Çfarë u ngeli pishman?

Arbnori: - Siç po shkojnë punët jam i gëzuar që ndërrova jetë shpejt. Se të paktën ika me mendimin se komunizmi u varros. Por tani po shoh se ai u zgjua dhe po na varros si komb. E më e keqja është se askush nuk flet. Edhe në kohë të Enverit dilnin me kokrra, ama dilnin ca kundërshtarë. Sot heshtje e qetësi varri. Ndaj ndjehem mirë këtej. Se të isha gjallë do më riburgosnin. Jam i sigurt.

Iriqi: - Si e kalon kohën tani?

Arbnori: - Lexoj dhe flas me miqtë.

Iriqi: - Me miqtë?

Arbnori: - Po, ja dje piva një kafe me Azemin. Ai qeshte e tallej me mua. E kam bustin më të hajrit, më thoshte. E pranoj, i thashë. Ama të dyve po na harrojnë. Edhe librin nga mbiva unë, edhe protestën nga linde ti. E kështu qajmë hallet dhe qajmë Shqipërinë që na e vodhën minjtë e bllokut.

Iriqi: - Të ka kapur pesimizmi.

Arbnori: - Jo, kam trishtim. Se pas shiut do dalë dielli, por ketë herë ka qenë shi i rëndë, litar, që na mbyti dhe na mban varur. Shi që na rilagu...