Të përndjekur edhe pas 28 vjet demokraci! Bashkia Berat i dëbon nga zyra e tyre ish-të persekutuarit

Të përndjekur edhe pas 28 vjet demokraci!

Të përndjekurit politikë në Berat kanë protestuar sot kundër bashkisë së qytetit, e cila pas 28-vjetësh i ka nxjerrë nga zyrat e tyre pa asnjë paralajmërim, ndërkohë që nuk dihet ende se ku ka përfunduar dokumentacioni i kësaj zyre.

Punonjësit e Bashkisë së Beratit, kanë shqyer dyert e zyrave të të përndjekurve politikë dhe kanë ndërruar bravat, duke mos lejuar askënd nga anëtarët e shoqatës të hyjnë në këto ambiente.

Kryetari i shoqatës së të përndjekurve politikë në Berat, z.Murat Protoduari pohon se zyrat janë nën pronësi të shoqatës dhe të bashkisë së Beratit.

Të përndjekurit politikë pohojnë se, në zyrat e bashkisë nuk u japin asnjë informacion për këtë largim dhe nuk i lejojnë të hyjnë më në këto ambiente, qoftë edhe vetëm sa për të tërhequr dokumentacionin.

Presidenti i Unionit Mbarëkombëtar të të Përndjekurve Politikë, Besim Ndregjoni, e dënon ashpër këtë akt të ndërmarrë nga bashkia e Beratit.

Ndërgjoni pohon se nëse bashkia nuk ndërmerr masa, protestat do zhvendosin përpara bashkisë Berat, duke mos lejuar hyrjen e kryetarit në zyrën e tij.