FOTO/ Fshati franko-spanjoll ku do të hiqen taksat, se ka fitime me shumicë nga... parkimi i makinave

Autoritetet shtetërore franceze i kanë propozuar këshillit të një fshati të vogël të mos u marrë më taksa banorëve, pasi bashkia ka parà me tepricë. Le Perthus është një fshat i vogël me vetëm 586 banorë në vargmalin e Pirenejve, mbi kufirin franko-spanjoll, dhe në thesarin e tij ka një suficit mbi një milion euro. Fshati fiton rreth 800 mijë euro në vit vetëm nga parkimi i makinave të francezëve që vijnë për të bërë pazar në anën tjetër të kufirit, në pjesën spanjolle, ku shkojnë në këmbë e ku çmimet janë më të ulta.

Shuma, e cila shkon në rreth 1300 euro në vit për banor, është goxha e madhe, ndërkohë që këshilli bën shumë pak shpenzime, ndaj auditorët e shtetit kanë bërë propozimin që të hiqen taksat lokale, pasi ka “bollëk burimesh që nuk po përdoret”. Rruga kryesore e fshatit, Avenue de France, shtrihet në të dy shtetet, Francë e Spanjë.

Dyqanet me ulje çmimesh janë në anën spanjolle, ku shiten alkool, cigare e parfume me çmime shumë më të lira për shkak të diferencave në taksa. Një paketë cigare në anën franceze kushton mesatarisht 8 euro, ndërsa në anën spanjolle shkon rreth 5 euro. Për këtë shkak, Le Perthus është bërë një magnet për blerësit nga Franca, që shkojnë atje, parkojnë makinën nga njëra anë e rrugës e shkojnë për të blerë në anën tjetër të saj./d.i./SYRI.NET